Luftarake

Karateistet e Kosovës ndalen në çerekfinale të Kupës së Botës

Karateistet

Karateistet e Kosovës nuk kanë arritur të avancojnë më shumë se në çerekfinale të Kupës së Botës që po mbahet në Pamplona të Spanjës. Në ditën e dytë të ngjarjes për ekipe të përfaqësueseve, karateistet e Kosovës nuk i kaluan ato të Japonisë, pavarësisht se paraqitja e tyre në fazën grupore ishte shumë e mirë. 

Kosova ishte në Grupin C me Taipein Kinez, Hungarinë, Italinë dhe Ekuadorin. 

Pati tri fitore në fazën grupore, ndërsa e pësoi një disfatë. 

Me rezultatin 2:1 fitoi ndaj Taipeit Kinez. 3:0 e mposhti Përfaqësuesen e Hungarisë, e me të njëjtin rezultat e mposhtën Ekuadorin. Humbën nga Italia 2:1, por karateistet e Kosovës avancuan tutje. 

Në çerekfinale, Kosova, që është medaliste e bronztë e Botërorit, u përball me Japoninë, medalisten e argjendtë të Kampionatit Botëror të vitit të kaluar. Japonezet i fituan dy luftëra, ndërsa një tjetër u mbyll në barazim. Dhe kështu, rrugëtimi i Kosovës drejt medaljes te karateistet u ndal në gjysmë.  

Fortesa Orana humbi nga Kanna Nagai, Vlera Qerimi barazoi në luftën e dytë me Sarara Shimadan, kurse Behije Mustafa humbi nga Rina Kodo. 

Kosovën te karateistet e kanë përfaqësuar Fortesa Orana, Vlera Qerimi, Elmedina Istogu, Behije Mustafa dhe Diellza Sejdijaj. 

Karateistet e Kosovës në tetorin e vitit të kaluar fituan medalje të bronztë në garat ekipore në Botërorin që ishte mbajtur në Budapest të Hungarisë. 

Medalja ishte sukses historik për karateistet, pasi ishte medalja e parë e madhe e fituar për Kosovën në sportin e karatesë, në gara ekipore. 

Të premten, në nisje të Kupës Botërore në karate, në luftëra garuan edhe karateistët. 

Ndonëse kishin synime të mëdha, karateistët e Kosovës i humbën të gjitha duelet. 

Kosova ishte në Grupin C, bashkë me Francën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kazakistanin dhe Greqinë. 

Kosova nisi mirë me SHBA-në, por megjithatë u mposht 3:2. Pra dy karateistë shënuan fitore e tre humbën.

Në duelet tjera Kosova ishte pa gjasa. Humbi 5:0 nga Greqia, 5:0 nga Franca dhe 4:1 nga Kazanistani. Mbeti e fundit në grup dhe nuk avancoi.

Karateistët në këtë ngjarje janë paraqitur me ftesë.

Kosova te karateistët u përfaqësua me Elhami Shabanin, Betim Maliqin, Benjamin Shabanin, Endrit Bekën, Jakup Ajdarin, Shpresim Shabanin, Fatjon Bajramin dhe Mirlind Rexhepin.