Alice Bellandi është kampione në fuqi olimpike në kategorinë deri 78 kilogramë. Bellandi është kampionia e parë në fuqi e Lojërave Olimpike që qëndron për stërvitje në Kosovë. Bashkë me xhudistë të tjerë italianë, 26-vjeçarja nga Brescia po merr pjesë në kampin që po mbahet në Pejë, në Qendrën Nacionale të Xhudos.
Bellandi shkëlqeu në Paris verën e kaluar, duke fituar medaljen më të vlefshme në sport në një kategori goxha të vështirë. Ajo ka edhe një medalje të argjendtë botërore dhe një medalje të bronztë botërore. Edhe nga Evropianët ka një medalje argjendi e një bronzi. Në garat e tjera të xhudos, Masters, Grand Slam e Grand Prix, ka numër të madh medaljesh.
Bellandi nuk ka garuar më që nga Lojërat e Parisit. Është duke punuar për kthim të fuqishëm në tatami.
Si kampione olimpike ajo është prej xhudisteve më të mira aktualisht në botë. Por thotë se xhudistet e Kosovës janë më të mira se ajo. Ajo ka folur me shumë respekt për xhudon kosovare dhe për trajnerin Driton Kuka. Ka thënë se në sallën ku ushtrojnë xhudistët kosovarë është shkruar historia e xhudos.
“Është hera e parë për mua në Kosovë, por është kënaqësi e madhe. Është shtëpi e kampionëve, pjesë e rëndësishme e historisë së xhudos. Është kënaqësi të vij dhe të shoh se ku kampionët shumë, shumë, shumë të mëdhenj, më të mëdhenj se unë, kanë ushtruar dhe ushtrojnë ende. Me një trajner të madh, këtu është shkruar historia e xhudos. Është shumë mirë për mua dhe kënaqësi”, ka thënë Bellandi për KOHËN.
Bellandi, që u bë goxha e famshme pas Lojërave të Parisit, thotë se sparingu në kampin në Pejë është shumë i mirë. Ka theksuar se garueset nga vende të ndryshme duan të bëjnë xhudo dhe i kërkojnë asaj përballje, ndonëse është kampione olimpike. Kjo i ka pëlqyer italianes.
Bellandi do të garojë në Evropianin që mbahet në Podgoricë në fund të muajit prill, por synimin e madh e ka për Botërorin që mbahet në verë.
“Dua të garoj në Evropian, pasi jam ende duke u kthyer në formën më të mirë. Do të përgatitem për Botërorin dhe që të fitoj tjetër titull. Ky është synimi im e më pas, hap pas hapi”, ka thënë Bellandi.
Ardhja e saj në Pejë do të shërbejë që xhudoja kosovare të jetë edhe më e vlerësuar në botën e këtij sporti.
Në kampin në Pejë po paraqiten xhudistë nga dhjetë shtete të ndryshme.