Xhudistja çeke, Renata Zachova, është kampione në fuqi e Evropës. 24-vjeçarja vitin e kaluar e fitoi medaljen e artë evropiane në kategorinë deri 63 kilogramë.
Zachova ka edhe titull të Evropës për juniore, një medalje të bronztë në Grand Slam e katër të bronzta në garat e nivelit Grand Prix. Ka edhe suksese tjera, më të vogla.
Zachova për herë të parë erdhi në Kosovë në vitin 2016 dhe kthehet vazhdimisht. Ka një arsye të fortë për këtë.
Ajo ishte pjesë e kampit ndërkombëtar që këtë javë u mbajt në Qendrën Nacionale të xhudos në Pejë.
Për dallim nga xhudistet më të mira të Italisë që ishin për herë të parë, Zachova është plotësisht e njohur për familjen kosovare të xhudos.
“Për herë të parë erdhëm në vitin 2016, pra nëntë vjet më parë. Jam e kënaqur me sparingun dhe punën që bëhet këtu. Unë kam nisur karrierën në kategorinë deri 52 kilogramë dhe kam filluar me Majlindën, ishte përvojë shumë e mirë për mua. Tani jam në kategorinë deri 63 kilogramë, por sërish ka vajza shumë të mira. Është Laura Fazliu në kategorinë time. Ajo është e lënduar, por sërish ka stërvitje shumë të mira këtu”, ka thënë Zachova për KOHËN.

Për stërvitjet në Kosovë ajo ka folur disa herë edhe në mediat çeke. Sidomos kur erdhi në kohën e pandemisë dhe më pas fitoi titullin e Evropës për juniore. Me suksesin në Evropianin për seniorë, Zachova dëshmoi se ai sukses nuk ishte i rastësishëm.
Ajo thotë se xhudistet e Kosovës janë të forta. Përmend një “element” që i dallon xhudistet kosovare.
“Xhudistet e Kosovës janë të forta. Sidomos në kapjen nga lartë (high grip). Është vështirë të mbrohesh ndaj tyre. Mendoj se kanë kapjen nga lartë më të mirë në botë. Mendoj se kjo kapje e veçantë është e pëlqyera e tyre”, ka thënë Zachova.
Lukash Krpalek është emri bindshëm më i njohur i xhudos në Çeki. Ai ka dy medalje të arta olimpike, dy të arta botërore e tri evropiane. Është prej xhudistëve më të mirë në histori.
Por edhe Zachova po ngritet në nivelin serioz ndërkombëtar. Titulli i Evropës është dëshmi për këtë. Natyrisht, falë edhe stërvitjeve në Kosovë.