Luftarake

Kampionia botërore: E mahnitshme që jam në vendin e Majlindës dhe Distrisë

odette

Xhudistja italiane, Odette Giuffrida, ka histori të gjatë të përballjeve me Majlinda Kelmendin e më pas me Distria Krasniqin. Giuffrida është prej xhudisteve më të mira në botë. Është kampione në fuqi e botës në kategorinë deri 52 kilogramë, kategori të cilën për shumë vjet e dominoi Majlinda. Pas Lojërave Olimpike të Tokios, Distria Krasniqi është prej xhudisteve më të mira në këtë kategori. Niveli superior ka bërë që Giuffrida të përballet shpesh me Majlindën e Distrinë, madje edhe në faza finale të garave më të mëdha.

Italiania 30-vjeçare për herë të parë po qëndron në Kosovë. Është pjesë e kampit që e ka organizuar Federata e Xhudos e Kosovës.

“Është hera e parë në Kosovë. Po ndihem shumë mirë dhe për mua është e mahnitshme të jem këtu, të njoh vendin e shumë kampionëve dhe po ashtu vendin e Kelmendit dhe Krasniqit. Gjithnjë isha kurioze për ta njohur këtë vend, kështu që jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë Giuffrida për KOHËN.

Ajo ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi me Majlinda Kelmendin dhe me trajnerin Driton Kuka në prapavijë, të bërë gjatë kampit. Në fotografi, Giuffrida vë dy duart në fytyrën e Majlindës. Fotografi e ngjashme ishte bërë pas finales së lojërave olimpike “Rio 2016”, në të cilën Majlinda e kishte mposhtur italianen. Në fotografinë në Rio, Majlinda kishte vënë njërën dorë në fytyrën e Giuffridas.

Me Majlindën, që tani është trajnere në ekipin e Kosovës dhe përcjell nga anash luftërat e xhudisteve në kamp, Giuffrida i ka plot dhjetë përballje. Shtatë prej tyre i ka fituar legjenda e xhudos kosovare e tri xhudistja italiane. Përballjen e parë dy xhudistet ikonike e kishin në vitin 2013 e të fundit në vitin 2019.

Plot pesë herë janë përballur në finale, duke përfshirë atë të Lojërave Olimpike. Finalet i ka fituar vazhdimisht Majlinda, por një në Abu Dabi, në të cilën pësoi lëndim të rëndë në fytyrë.

Me Distria Krasniqin, Giuffrida tashmë i ka 11 përballje. Distria i ka shtatë fitore e Giuffrida katër. Së fundi Distria e mposhti në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike. E ka mposhtur edhe në finale të Evropianit të vitit të kaluar e po ashtu në gjysmëfinale të Evropianit 2023. Katër përballjet e fundit i ka fituar Distria.

Vetëm me rumunen Andreea Chitu, Giuffrida është përballur më shumë se me dy xhudistet kosovare.

“Është rivalitet i gjatë, por gjithnjë me miqësi. Ne respektojmë njëra-tjetrën. Në tatami ne luftojmë dhe japim çdo gjë, por jashtë tatamit, por edhe brenda tij ka gjithnjë respekt mes nesh”, ka thënë Giuffrida për rivalitetin me Majlindën e Distrinë.

Trajneri Driton Kuka thotë se Majlinda, Distria e Odette janë tri prej xhudisteve më të mira në histori.

“Qartë se kemi krijuar diçka të rëndësishme për historinë e kategorisë deri 52 kilogramë në Evropë dhe në botë. Dhe të ndaj këtë me ato, është vërtet krenari. Jam e lumtur edhe që tani ushtrojmë së bashku”, ka theksuar Giuffrida. 

Ajo ka medalje të argjendtë dhe të bronztë olimpike, medalje të artë e të bronztë botërore, medalje të artë e dy të argjendta evropiane dhe shumë e shumë medalje në garat e tjera të xhudos. Garon në nivel të lartë për më shumë se një dekadë. Nuk ka garuar që nga lojërat olimpike “Parisi 2024”, por kthehet në Evropianin që në fund të muajit mbahet në Podgoricë.

“Do të kthehem në Evropian dhe të shohim se çka do të ndodhë. Uroj që të gjithë këtu të kemi shëndetin dhe të kemi kënaqësi”, ka theksuar Giuffrida.

Rivaliteti me xhudistet kosovare i ka shërbyer shumë asaj në karrierë. Tani mund t’i shërbejë edhe stërvitja e përbashkët me to.