Luftarake

Kampione olimpike, botërore e evropiane – superkamp i xhudos në Pejë

FOTO: Federata e Xhudos

FOTO: Federata e Xhudos

Stërvitja fillon saktësisht në orën 16:30, kur për këtë jep shenjë kryemjeshtri. Xhudistet vendosen në rresht e përballë tyre trajnerët. Kryemjeshtri Driton Kuka fillimisht përshëndet dy prej mysafireve. Nuk bëhet fjalë për mysafire dosido. Janë sportistet më të mira, pa llogaritur ato të vendit, që kanë ardhur për stërvitje në Kosovë. Fillimisht e përshëndet kampionen olimpike në fuqi në kategorinë deri 78 kilogramë, Alice Bellandi. Italiania reagon me një buzëqeshje të lehtë dhe me përkuljen e kokës që në xhudo do të thotë respekt. Më pas e përshëndet kampionen në fuqi të botës në kategorinë deri 52 kilogramë, italianen tjetër Odette Giuffrida. Edhe ajo reagon me ulje koke në shenjë respekti.

Në mesin e xhudisteve të rreshtuara është edhe kampionia në fuqi e Evropës në 63 kilogramë, çekja Renata Zachova.

Kjo përbërje – kampione olimpike, kampione botërore, kampione evropiane – bën që kampi, i cili këtë javë po mbahet në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, të jetë më i forti i mbajtur ndonjëherë në Kosovë. 

FOTO: Federata e Xhudos

Pas mirëseardhjes së nikoqirit, xhudistet fillojnë me ngrohjen e zakonshme. Ngrohja zgjat rreth 20 minuta. Më pas xhudistet nisin atë për të cilën edhe shërben kampi, luftërat e forta mes tyre. Fillimisht luftojnë xhudistet e kategorisë 48 e 52 kilogramë. Pas disa minutave rraskapitës, ato vazhdojnë me luftë në dysheme. Ngarkesa është e lartë e luftërat të nivelit superior. Xhudistet me peshë më të vogël lënë vendin në arenë për xhudistet që kanë peshë më të madhe e rrjedhimisht shtat më të madh.

Në serinë e dytë kundërshtaret ndryshohen. Pjesë e stërvitjes është edhe Distria Krasniqi, njëra prej top-xhudisteve botërore. Ajo ka medalje të artë e të argjendtë olimpike, ndër të tjera. Është rivale direkte e Giuffridas. Por jo në stërvitjen e së martës. Giuffrida nuk përballet me xhudisten kosovare. Këtë nuk e ka bërë asnjëherë në kampe e stërvitje dhe nuk e bën as në Pejë.

Megjithatë për Distrinë e Odetten ka mjaftueshëm kundërshtare për sparing të fortë. Sparingu i fortë është bazik për nivel të lartë në xhudo. Për këtë qëllim është organizuar kampi. Për këtë qëllim erdhën xhudistet më të mira nga Italia.

Por në kamp nuk janë vetëm italianet. Ka xhudiste e xhudistë edhe nga Çekia, Finlanda, Sllovenia, Moldavia, Britania e Madhe, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe natyrisht nga Kosova. Pra marrin pjesë xhudistë nga plot dhjetë vende.

Për shkak të numrit të madh, stërvitja e xhudistëve mbahet pas asaj të xhudisteve.

FOTO: Federata e Xhudos

Ardhja e ekipit më të mirë të xhudisteve italiane ka bërë që kampi të vlerësohet superior.

Antonio Ciano është njëri prej trajnerëve italianë që merr pjesë në kamp. Ai është trajner i kampiones olimpike, Bellandi.

Ciano për herë të parë është në Kosovë, ndërsa është shumë i lumtur për bashkëpunimin me ekipin e Kosovës.

“Jemi të lumtur që jemi këtu. Xhudistet e Kosovës janë të forta, shumë të forta. Janë kampione botërore, kampione olimpike. Jemi të lumtur për ftesën nga Toni Kuka. Jemi miq të këtij sporti. Në dhjetor ekipi i Kosovës ishte në bazën tonë ushtarake në Itali. Tani është momenti për të forcuar bashkëpunimin mes dy ekipeve, të Italisë dhe Kosovës, për rritjen e mëtejme dhe për të punuar për garat e ardhshme të mëdha dhe për Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 2028’”, ka thënë Ciano, njëri prej trajnerëve më të vlerësuar në Itali.

FOTO: Federata e Xhudos

Ai pranon nivelin e lartë të xhudos kosovare. Në fakt pa nivel të lartë të xhudistëve të vendit, italianët nuk do të vinin në Pejë.

“Për shumë vjet tashmë xhudoja kosovare fiton medalje në secilën garë. Mendoj se është një prej ekipeve më të mira në botë, me vajza e djem. Është shumë me rëndësi të bëjmë stërvitje së bashku. Shpresojmë se do të ketë raste të tjera si ky. Me Tonin shihemi çdo dy-tri javë për gara. Synimi është të rritemi. Miqësia jonë është gjë e mirë për rritjen e dy ekipeve. Për mua është hera e parë në Kosovë. Këtu çdo gjë është mirë. Vetëm moti nuk është më i miri këto ditë. Por moti nuk ka rëndësi. Rëndësi ka kjo që bëhet në tatami”, ka shtuar trajneri italian.

Është puna në tatami që josh xhudistët italianë, por edhe xhudistë nga plot vende të tjera për të ardhur në Kosovë. Shumë duan ta kuptojnë edhe sekretin e suksesit kulmor të ekipit kosovar të xhudos.

Ndër të tjera, xhudistët kosovarë i kanë pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta.

FOTO: Federata e Xhudos

Pas stërvitjes plot aksion të xhudisteve, arena lirohet për xhudistë. Numri i kampistëve është më i vogël. Por rivaliteti nuk mungon, sidomos i xhudistëve kosovarë me xhudistët italianë.

Kryemjeshtri Kuka në stërvitjen e xhudisteve ishte shumë aktiv, ndërsa në stërvitjen e xhudistëve është më i qetë. Kufizohet në këshilla për xhudistët kosovarë, nga këndi ku edhe e përcjell vazhdimisht stërvitjen.

Ai tregon se pse ky është kampi më i fortë i mbajtur deri më tani.

“Pas përgatitjeve bazike që kemi pasur në vjeshtë, vjen një periudhë kur ngadalë nga pjesa e kuantitetit ose stërvitjeve të gjata ku punojmë qëndrueshmëri dhe forcë maksimale, dalim në kualitet të luftës dhe për këtë gjithmonë na duhet sparing cilësor. Është hera e parë që kemi sportistë të nivelit kaq të lartë. Kemi për herë të parë një kampione olimpike, pos tri kampioneve tona olimpike, që ka zbarkuar në Kosovë. Është italiania Bellandi. Gjithashtu është këtu një ndër xhudistet që në Kosovë spordashësit e njohin më së shumti, italiania Giuffrida, me të cilën në fillim Majlinda, pastaj Distria, kanë pasur shumë luftëra dhe beteja, deri në finale të Lojërave Olimpike (Majlinda), gjysmëfinale Distria dhe shumë e shumë gara tjera. I kemi në Pejë tri ndër rivalet më të mëdha, tri legjendat e kategorisë deri 52 kilogramë, Majlindën, Distrinë dhe italianen Giuffrida”, ka thënë Kuka.

FOTO: Federata e Xhudos

Ai ka folur për KOHËN vetëm pasi ka nisur stërvitja e xhudistëve. Kryemjeshtri Kuka është më meritori për shndërrimin e Kosovës në superfuqi të xhudos.

Kampi, ndër të tjera, shërben për Evropianin që mbahet më vonë këtë muaj.

“Ekipi nacional i Italisë është këtu, kemi edhe shumë garues të tjerë. Në fakt sa i përket cilësisë, është kampi më i mirë ndonjëherë i mbajtur në Kosovë dhe jam i lumtur që kemi arritur të kemi një ekip nacional shumë të fuqishëm në xhudo, por jo vetëm në xhudo, por në gjithë sportin, siç është Italia. Kjo flet vetë. Megjithëqë në Evropian do të shkojmë të përgjysmuar sa i përket ekipit për shkak lëndimeve që i kemi dhe rikuperimit të lëndimeve nga e kaluara, kemi gjasa të kthehemi me medalje dhe pastaj të shohim tutje”, ka shtuar Kuka.

FOTO: Federata e Xhudos

Distria e Odette Giuffrida janë dy prej pretendueseve për të artën evropiane në kategorinë deri 52 kilogramë. Në Podgoricë, ku mbahet Evropiani, shmangia e përballjes nuk është opsion.  Atje do të shërbejë shumë puna që xhudistet po bëjnë këto ditë në Pejë.

FOTO: Federata e Xhudos