Boksieri kosovar Granit Shala më 13 prill në Gjermani do të boksojë me ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi për titullin e Evropës, EBU, në kategorinë e rëndë në boksin profesionist.
Për Shalën 27-vjeçar, që karrierën e zhvillon në Gjermani, do të jetë meçi më i madh në karrierë.
Ai ka zhvilluar deri më tash 15 meçe dhe i ka fituar të gjitha, pesë prej tyre me ndërprerje.
Shala, që është pjesë e klubit Fight Power Academy në Gjermani, aktualisht është në fazën përgatitore në Spanjë.
Shala, 192 centimetra i gjatë, do të ketë përballë një boksier 14 centimetra më të madh. Ukrainasi Zakhozhyi është i pamposhtur në 18 meçe, ndërsa 14 prej tyre i ka fituar me nokaut.
Në Spanjë, 27-vjeçari ka bërë sparing me boksierin gjigant polak Mariusz Wach (202 centimetra), i cili kishte boksuar edhe për titull bote me Wladimir Klitschkon në vitin 2012.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jam shumë i motivuar dhe mezi po pres të paraqitem në ring”, ka thënë Shala për KOHËN.
Ai do të vazhdojë fazën e përgatitjeve më pas në Gjermani, ku do të bëjë sparing edhe me britanikun shtatlartë Nick Campbell.
Trajneri dhe menaxheri i Shalës, Agron Kurtishi, ka thënë se synim e kanë ta fitojnë titullin e Evropës, që do të ishte hap i madh për Shalën për meçe më të mëdha.
Kurtishi ka treguar se ka qenë mjaft sfiduese derisa është caktuar kundërshtari i Shalës për titull të Evropës.
Si opsione ishin përmendur Daniel Dietz, Tom Schwarz, Daniel Dubois e Joe Joyce ndër të tjerë. Por, ata refuzuan përballjen.
“Janë ndërruar disa kundërshtarë dhe faza përgatitore s’ka qenë e lehtë. Por, megjithatë jemi duke u përgatitur dhe synojmë titullin më 13 prill”, ka thënë Kurtishi.
Shala ka nisur karrierën më 25 nëntor të vitit 2017 në Munchen. Ai që nga fillimi i karrierë profesioniste ka qenë me trajnerin Kurtishi.
Nga boksierët shqiptarë të kategorisë së rëndë Luan Krasniqi kishte fituar titullin e Evropës, ndërsa Agrom Smakiçi boksoi për titull, por humbi nga Agit Kabayel.