Luftarake

Edhe e përgjysmuar, Kosova në Top-10 të Evropianit

Xhudo

Të dielën në Podgoricë ka përfunduar Kampionati Evropian i xhudos. Ashtu si pritej, Kosova e ka lënë gjurmën e saj në ngjarjen kryesore kontinentale. Distria Krasniqi fitoi medalje të artë në kategorinë deri 52 kilogramë, të mërkurën, në ditën e parë të Evropianit.

Falë medaljes së Distrisë, Kosova sërish është në Top-10 vendet më të suksesshme të Kampionatit Evropian. Medalja e artë vlerësohet dukshëm më tepër se medalja e argjendtë dhe e bronztë. Dhe për këtë arsye Kosova me një medalje është në mesin e dhjetë vendeve më të suksesshme, sipas të dhënave zyrtare nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Vetëm tetë vende kanë fituar medalje ari. Këtu nuk llogariten xhudistët e Rusisë, që garuan duke përfaqësuar Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Në fakt rusët ishin më të suksesshmit me tri të arta, tri të argjendta e dy të bronzta. Në vendin e dytë mbeti Franca me tri të arta, dy të argjendta e pesë të bronzta.

Gjeorgjianët i fituan dy medalje ari, ndërsa Italia, Gjermania, Portugalia, Çekia, Hungaria dhe Kosova e fituan nga një të artë.

Pas Kosovës në renditje janë Azerbajxhani, Izraeli, Greqia, Holanda, Serbia, Spanja, Ukraina, Bullgaria, Kroacia, Finlanda e Belgjika. Sportistë nga 20 vende kanë fituar medalje. Ndërkohë pjesëmarrës ishin 414 sportistë nga 47 shtete të ndryshme. Plot 27 shtete nuk fituan medalje.

“Është shumë e rëndësishme që vazhdojmë të marrim medalje në çdo Evropian. Kemi vazhdimësi dhe kjo është dëshmi që puna që bëjmë është e duhura. Medalja e artë ka peshë të madhe. Këtë e dëshmon fakti që falë saj jemi në Top-10 të vendeve më të suksesshme të Evropianit”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të dielën.

Në Kosovë medalja e artë evropiane nuk është se mori vlerësimin e duhur, sidomos nga institucionet qendrore. Ndërkohë në vendet fqinje janë bërë shumë urime, edhe nga drejtues të lartë, për medalje bronzi nga Evropiani në Podgoricë. 

Medalja e Distrisë fiton në peshë marrë për bazë që Kosova u paraqit me ekip të përgjysmuar në Evropian. Për shkak të lëndimeve munguan xhudiste të rëndësishme, duke përfshirë Laura Fazliun, që do të ishte pretenduese e madhe për medalje në kategorinë deri 63 kilogramë.

Në Podgoricë garuan edhe Akil Gjakova, Dardan Cena e Laurinë Gashi. Akili u rendit i shtati, Dardani shënoi dy fitore, ndërsa Laurina u ndal në luftën e parë, por mori vlerësime për paraqitjen.

“Më është dashur kjo medalje e artë dhe më vjen mirë që e fitova në Evropian. Po punoj edhe më shumë se në të kaluarën dhe pres të tjera suksese”, ka thënë Distria Krasniqi.

Xhudistët kanë pushuar në fundjavë, ndërsa menjëherë të hënën i kthehen punës së madhe në palestër.

Synimi i radhës lidhet me Kampionatin Botëror që prej 13 deri më 19 qershor mbahet në Budapest të Hungarisë.

“Synojmë medalje edhe në Botëror”, thotë trajneri Kuka.

Shpresohet në më shumë medalje, duke përfshirë të arta, që sërish Kosova të jetë në dhjetë më të mirat.