Xhudistet e Kosovës i kanë fituar dy medalje në Kupën Evropiane për të rritur që në fundjavë u mbajt në Podçetrtek të Sllovenisë.
Erza Muminoviq e fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo nisi me fitore, ndërsa u ndal në luftën e dytë. Në repesazh i shënoi edhe tri fitore tjera për medalje bronzi.
Në kategorinë deri 57 kilogramë, Flaka Loxha u ndal po ashtu në luftën e dytë. Flaka vazhdoi në repesazh me tri fitore dhe në fund u stolis me medalje të bronztë.
Pa medalje kanë mbetur Dardan Cena, Anes Veseli, Fationa Kasapi e Debora Gjakova.
Bëhet fjalë për gjeneratën që pritet ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike 2028. Xhudistët kryesorë të Kosovës po vazhdojnë përgatitjet për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Në Slloveni garuan 324 xhudistë nga 29 shtete.