Luftarake

Distria shkëlqen në Podgoricë, fiton titullin e tretë të Evropës

distria

Distria Krasniqi ka arritur tjetër sukses madhor. Të mërkurën në Podgoricë të Malit të Zi, Distria u shpall kampione e Evropës në xhudo. Ajo fitoi medaljen e artë evropiane në kategorinë deri 52 kilogramë.

Për Distrinë është titulli i tretë i Evropës. Të parin e ka fituar në vitin 2021 në Lisbonë e të dytin vitin e kaluar në Zagreb. Ka edhe dy medalje të argjendta e dy të bronzta evropiane.

Në finale, Distria e mposhti italianen me përvojë, Odette Giuffrida. Ndaj saj fitoi pasi i realizoi dy “Yuko”. 

Falë Distrisë, Evropiani 2025 tashmë është i suksesshëm për Kosovën. Ajo ishte bartëse e parë e kategorisë dhe e hapi lehtësisht rrugën deri në finale. 

Fillimisht e mposhti serben Milica Nikoliq. Xhudistja serbe ishte thuajse e dorëzuar përballë Distrisë që nga fillimi. Vazhdimisht ka shmangur luftën dhe mori tri dënime. Kështu fitorja me Ippon i takoi xhudistes kosovare.

Në çerekfinale, Distria e kaloi holandezen Naomi Van Krevel. Ndaj saj realizoi menjëherë “Yuko” e pas 1:05 minuta edhe Ippon me hedhje mjeshtërore. 

Ariane Toro Soler nga Spanja ishte kundërshtare e 29-vjeçares në gjysmëfinale. Sërish Distria kishte kontrollin e plotë. Pas 1:21 minuta realizoi super-hedhje për tjetër fitore me Ippon.

Ashtu si pritej, përballë Distrisë në finale ishte kampionia në fuqi e botës, Giuffrida.

Distria e Odette Giuffrida janë përballur plot 12 herë deri më tani. Distria tani i ka tetë fitore, ndërsa Giuffrida katër. Distria ka fituar pesë përballjet e fundit me italianen e papërshtatshme. Vjet e mposhti në finale të Evropianit dhe në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike. Në vitin 2023 e kishte mposhtur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.

E arta evropiane është vetëm suksesi i radhës kulmor i Distria Krasniqit, që ndër të tjera ka edhe një medalje të artë e një të argjendtë olimpike.

Lexo përditësimet tjera
distria

Live: Kampionati Evropian i xhudos

Në Podgoricë po mbahet Kampionati Evropian i xhudos. Kosova në këtë Evropian përfaqësohet nga katër xhudistë....