Luftarake

Distria për KOHËN: E lumtur që fitova të artën në Evropian

distria

Xhudistja Distria Krasniqi është e lumtur që fitoi medalje të artë në Kampionatin Evropian. Të mërkurën në Podgoricë të Malit të Zi, Distria fitoi të artën evropiane në kategorinë deri 52 kilogramë. 

“Jam shumë e lumtur që fitova medaljen e artë, sidomos pas kësaj finaleje kaq të fortë sërish ndaj italianes Giuffrida, të cilën e kisha fituar edhe vitin e kaluar në finale të Evropianit, kështu që jam shumë e lumtur”, ka thënë Krasniqi për KOHËN të mërkurën. 

Krasniqi ka folur për rivalitetin ndaj italianes Odette Giuffrdia.

“Ky rivalitet ka qenë ndoshta më shumë se dhjetë vite. Edhe si juniorë kemi pasur luftëra. Disa i kam fituar, disa i kam humbur, pasi përballja me të gjithmonë është e vështirë, sepse duhet të jesh më shumë se 100 % e fokusuar. Është kampione botërore dhe fituese e shumë medaljeve tjera, dy medalje olimpike. Me xhudistë të nivelit të saj, nuk je asnjëherë e sigurt kur futesh në luftë. Fitorja nuk është e sigurt. Por jam e kënaqur që edhe kësaj radhe dola fituese”, është shprehur Krasniqi.

Për Distrinë është titulli i tretë i Evropës. Të parin e fitoi në vitin 2021 në Lisbonë e të dytin vitin e kaluar në Zagreb. Ka edhe dy medalje të argjendta e dy të bronzta evropiane. 

“Kjo medalje po më pëlqen më shumë. Është më e mirë se herët tjera”, ka theksuar Krasniqi. 
Distria ka edhe dy medalje olimpike. Në lojërat olimpike “Tokio 2020” fitoi të artën, kurse në “Parisi 2024” fitoi të argjendtën.

Lexo përditësimet tjera
distria

Live: Kampionati Evropian i xhudos

Në Podgoricë po mbahet Kampionati Evropian i xhudos. Kosova në këtë Evropian përfaqësohet nga katër xhudistë....