Luftarake

Distria e fiton medaljen e tetë në Grand Slamin e Parisit

Distria Krasniqi

Distria Krasniqi ka vazhduar serinë e sukseseve në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme të xhudos.

Të shtunën, Distria fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë. Për 29-vjeçaren është medalja e tretë e bronztë. Ka të fituara edhe tri të arta e po ashtu dy të argjendta. Ajo ka fituar rregullisht medalje në Paris që nga viti 2017. Medalje nuk ka vetëm në vitin 2021, kur ekipi i Kosovës nuk mori pjesë në këtë garë.

Fituesja e dy medaljeve olimpike ishte bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë. Por nuk arriti në finale.

Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti francezen Alyssia Poulange me Ippon. Francezja i pësoi tri dënime. Në çerekfinale dominoi plotësisht ndaj spanjolles, Ayumi Leiva Sanchez. Atë e mposhti për një minutë. Fillimisht realizoi hedhje për uazari, ndërsa më pas me mbajtje siguroi Ipponin.  

Në gjysmëfinale, Distria humbi nga japonezja Kisumi Omori. Pas 1:19 minuta luftë, Omori realizoi Ippon me mbërthim. Ndaj japonezes tani ka një fitore e dy humbje.

Në luftë për medalje të bronztë, Distria e mposhti xhudisten që prezanton Emiratet e Bashkuara Arabe, Khorloodoi Bishrelt. Ndaj saj fitoi me “Yuko”, që është pikë më e vogël se uazari dhe është kthyer këtë vit në xhudo.

Krasniqi nuk kishte garuar nga korriku i vitit të kaluar kur fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike po në Paris.

Me suksesin e së shtunës në kryeqendrën franceze siguroi 500 pikë  në ranglistën botërore.

Në kategorinë deri 52 kilogramë garoi edhe Erza Muminoviq. Ajo u ndal në luftën e parë. Në luftën e parë humbi edhe Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë.