Prej 19 deri më 24 maj në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe do të mbahet Kampionati Botëror i Xhudos. Për herë të dytë Botërori i Xhudos mbahet pak javë para Lojërave Olimpike. Kjo kishte ndodhur në vitin 2021, ndërsa më herët në vitet olimpike nuk kishte kampionat botëror.
Priten mbi 680 xhudistë në Botëror, disa prej tyre nga Kosova. Është gara e fundit për të testuar formën para Olimpiadës së Parisit dhe po ashtu gara e fundit për të siguruar pikë të vlefshme për normë olimpike.
Ndonëse jo në momentin më të përshtatshëm, Botërori pritet të jetë i fortë e shumë interesant. Të dielën zhvillohen garat në kategoritë 48 e 52 kilogramë te xhudistet dhe 60 kilogramë te xhudistët. Kosova nuk ka ndonjë përfaqësues në ditën e parë.
“Ngjarja e fundit globale në periudhën kualifikuese për Parisi 2024 i është besuar Emirateve të Bashkuara Arabe pasi e dimë që jemi në duar të sigurta. Do të shijojmë përzierjen perfekte të spektaklit, përsosmërisë dhe mikpritjes me sportistët nga e mbarë bota që do të mirëpriten këtu edhe një herë”, ka thënë presidenti i IJF-së, Marius Vizer.
Akil Gjakova do ta prezantojë Kosovën në kategorinë deri 73 kilogramë, Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa pritet të jetë edhe Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Laura ka munguar për një periudhë për shkak të lëndimit. Por pritet të paraqitet në Botëror.
Xhudistët e Kosovës do të garojnë javën e ardhshme. Kosova do të jetë pa dy më të mirat, kampionet olimpike Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
Por Laura, Akili e Loriana vlerësohen me potencial për medalje botërore. Loriana e ka një të bronztë botërore, ndërsa Laura e Akili kërkojnë medaljet e para.
“Laura Fazliu po vazhdon traditën e forcës së xhudisteve nga Kosova, vendin që do të ketë garuese të kualifikuara në katër kategori për Lojërat e Parisit. Kjo nuk është e lehtë për vendet e vogla. Dy prej tyre janë kampione në fuqi”, ka shkruar Unioni Evropian i Xhudos lidhur me paraqitjen e Laura Fazliut në Botërorin në Abu Dabi.
Ndonëse Botërori është top-ngjarje sportive, fokusi i trajnerit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka, dhe i gjithë ekipit të tij, është te Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Gara e xhudos në Paris do të mbahet prej 27 korrikut deri më 2 gusht.
Për Kosovën, Botërori është vetëm stacion i rëndësishëm në rrugën drejt synimit final – Lojërave Olimpike.