Luftarake

Beterbiev kampion absolut në kategorinë gjysmë të rëndë në boks

Artur Beterbiev me brezin e kampionit absolut pas triumfit ndaj Dmitrii Bivolit ne Riad

Foto: Mark Robinson/Matchroom Boxing

Boksieri nga Rusia, Artur Beterbiev, ka mposhtur bashkëkombësin e tij Dmitrii Bivol në orët e hershme të së dielës në Riad të Arabisë Saudite, duke e marrë kështu epitetin e kampionit absolut në peshën gjysmë të rëndë në boks profesionist. 

Pas një përballje spektakolare dy nga gjyqtarët ia dhanë Beterbievit fitoren (115:113 dhe 116:112), ndërsa njëri e vlerësoi luftën si baras 114:114. 

Beterbiev tash është pronar i titujve më të mëdhenj të kësaj kategorie (WBC, WBA, IBF, WBO dhe IBO). 
Me vlerësimin e gjyqtarëve nuk u nda i kënaqur edhe promotori i Bivolit, Eddie Hearn. 

“Më duket e neveritshme që pas një pune aq të madhe gjatë tërë jetës Dmitrii Bivol nuk është sonte kampion i absolut”, tha Hearn në konferencë për media pas meçit.  

Ai pati kritika edhe për gjyqtarin Pawel Kardyni që e vlerësoi luftën 116:112. 

“Ky gjyqtar nuk duhet të punojë më kurrë në sport”. 

Për Beterbievin fitorja ndaj Bivolit ishte e 21-a në karrierën profesioniste, 20 i ka me nokaut. Bivol ka pësura humbjen e parë pas 23 fitoreve rresht. 

Në ring për të festuar dhe uruar boksierin çeçen Beterbievin u ngjit lideri çeçen Ramzan Kadyrov.