Lokalet 2021

Ujë të pijshëm e çerdhe të reja, premtojnë kandidatët për kryetar të Vitisë

Kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë, premtojnë për qytetarët e kësaj komune rregullimin e problemit me ujë të pijshëm, shmangien e vërshimeve duke rregulluar shtretërit e lumenjve, pajisjen e shkollave me kabinete dhe ndërtimin e çerdheve të reja.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti i cili është edhe kryetar aktual, ka thënë në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së, se strategjinë e tij katër vjeçare e ka quajtur “Vitia për të gjithë”.

Ai ka thënë se programi i tij edhe për një mandat të ri, bazohet në zhvillim ekonomik, bujqësi, infrastrukturë, mirëqenie sociale, shëndetësi, urbanizëm e ambient.

“Ne e kemi quajtur strategjinë katër vjeçare “Vitia për të gjithë” me prioritete zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe infrastrukturën, mirëqenien sociale, shëndetësinë, urbanizmin dhe ambientin. Natyrisht që strategjia jonë ka më shumë shtylla të përpiluara. Edhe në katër vjeçarin e kaluar jemi marrë me të gjitha kategoritë”, ka thënë Haliti.

Ai ka premtuar rregullimin e shtretërve të lumenjve që kalojnë nëpër këtë komunë, duke thënë se kjo do të parandalonte vërshimet të cilat ndodhin shpesh në Viti.

Arsim Ademi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Vitisë është shprehur se qeverisja e mirë dhe me duar të pastra e transparente do të jetë prioritet i tij.

Ademi ka shtuar se ka paraparë ndër të tjera edhe rregullimin e infrastrukturës së brendshme të shkollave.

“Kemi paparë edhe infrastrukturën e brendshme të shkollave, siç janë kabinetet, sidomos te shkollat e mesme profesionale. Kemi paraparë që brenda këtij mandati të bëjmë një ose dy çerdhe të reja, pasi në shumë raste nënat nuk kanë mundësi t’i qojnë fëmijët në çerdhe, prandaj duhet ta lënë punën. Nënat që janë të punësuara, edhe nëse burrat nuk janë të punësuar, t’ua mundësojmë që t’i qojnë fëmijët në çerdhe”, ka thënë Ademi.

Sipas tij, fokusimi i tij do të jetë edhe në sigurimin e ujit të pijshëm për shumë fshatra që kanë mungesë të tij, dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Vitisë, Bekim Azizi, ka thënë se prioritet do të ketë shëndetësinë, për shkak të dëmeve që ka shkaktuar te ky sektor pandemia me COVID-19.

“Duke pasur një interesim më të madh për menaxhim në të gjitha resurset sepse është shumë i nevojshëm duke filluar nga shëndetësia në radhë të parë, pasi pandemia na ka shkaktuar dëme të mëdha. Pandemia ka bërë një shkatërrim edhe të procesit të arsimit. Që dy vite, mundësia për të dhënë kontribut në mësimdhënie dhe mësimnxënie ka qenë e kufizuar dhe kjo ka shkaktuar dëme tek nxënësit, sidomos ata të klasave të ulëta”, është shprehur Abazi.

Ai po ashtu ka premtuar rritjen e cilësisë së punimeve te investimet kapitale dhe sigurimin e ujit të pijshëm.

Komuna e Vitisë ka mbi 47,000 banorë e mbi 45,000 votues. Kjo komunë ka territor prej 276 kilometra katrorë dhe 38 fshatra.


Kundërkandidatët e kritikojnë, Haliti thotë se Vitia nuk qëndron më së keqi për ujë të pijshëm

Çështja e ujit në komunën e Vitisë është bërë cak kritikash ndaj udhëheqësit aktual të kësaj komune, i cili përkundër tyre, thotë se Vitia qëndron shumë mirë sa i përket ujit të pijshëm.

Sokol Haliti kandidat i LDK-së dhe kryetar aktual i Vitisë ka thënë se çështja me ujë të pijshëm është rregulluar në shumë zona në këtë komunë. Ai ka mohuar që Vitia ka mungesë në pjesë të madhe të ujit.

“Nuk qëndron më së keqi ndër komunat Vitia. I kam gjetur disa kontrata të mëhershme për pesë fshatra. Uji për pesë fshatra është gati, Hidromorava i merr detyrimet e veta sepse detyrimet e Komunës janë kryer, e kemi bë pagesën për ujin e Pozharit dhe është lëshuar”, ka thënë ai.

Atë e kundërshtuan kundërkandidatët.

Arsim Ademi, kandidat i LVV-së për Vitinë, ka thënë se shumë fshatra e madje edhe qyteti ka problem me ujë të pijshëm dhe gypat. Ai prezantoi planin e tij për ujin nëse fiton mandatin.

“Shumica e fshatrave nuk kanë ujë. Një pjesë e qytetarëve bartin me cisterna sepse nuk kanë ujë të mjaftueshëm. Në Begucë nuk ke ujë të pijshëm, rrjeti është i shtrirë por nuk ka ujë. Ne kemi paraparë që të rritet kapaciteti i ujit. Rritjen e kapacitetit te Letnica, kemi paraparë këtë diku 1 milionë e 650 mijë euro, bëhet brenda mandatit. Kemi paraparë ngritjen e një fabrike te lumi Morava dhe që aty të bëhet pendë që përveç furnizimit me ujë të shfrytëzohet edhe për ujitje. Qeveria na ka ofruar alternativë që penda në Firajë do të furnizojë edhe Ferizajn, Kaçanikun dhe Vitinë”.

Ndërsa, Bekim Azizi kandidat i PDK-së për kryetar të Vitisë, tha se prej disa vitesh fshatrat përballen me mungesë të ujit. Ai ka thënë se për ujin duhet një zgjidhje sa më e shpejtë.

“Për shkak të zgjerimit të rrjetit, ka problem me ujë të pijshëm. Mungesa e ujit janë prej vjetësh shumë fshatra që nuk kanë ujë. Në afat të shpejtë duhet të sigurojmë ujë të pijshëm sepse ka mundësi të rriten kapacitete të fabrikës ekzistuese që të furnizohen me ujë. Në afatgjatë është projekti Ibër-Lepenc që e financon Banka Botërore që hyjnë 7 komuna aty. Ne duhet të gjejmë zgjidhje të ujit, në pjesë të fshatrave duhet ta arrijmë vetëm me rritje të kapaciteteve. Te ne është problem edhe mungesa e ujit të pijshëm nëpër shkolla”, ka thënë Azizi.