Lokalet 2021

Nisma hap fushatën në Malishevë, Limaj kritika për ministrin Vitia

Nisma Socialdemokrate e ka hapur edhe zyrtarisht fushatën në qytetin e Malishevës, komunën e vetme që ata drejtojnë. I pranishëm në këtë tubim ishte edhe kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj.

Limaj, përveç që lavdëroi punën e kryetari Ragip Begaj, pati kritika për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, rreth menaxhimit të pandemisë.

“Po filloj këtë fjalë duke rikthyer në vëmendje si shumë herë të tjera çka nënkupton që një vend me pas lidership. Kryetari i komunës nuk është njeri që duhet të mbyllet në zyre për dallim me një politikan ditor i cili gjithë angazhimin e ka me shpifje e mashtrime. Malisheva ka pasur fatin që të ketë në krye një kryetar që ka qenë më popullin e brenda popullit, me halle e projekte me gëzime e pikëllime, një njeri i cili së bashku me ekipin e tij kanë qenë pranë qytetarëve në situatat që ka kaluar Malisheva. Ne fillim Begaj u përball me situatën me ethet e rriqrave, në atë kohë Malisheva vuante nga ajo dhe kishte shumë viktima. Këta u angazhuan përmes emancipimit, thirrjeve te ekspertëve, seminareve e duke çrrënjosur këtë. Nga kriza në krizë, Ragipi së bashku me ekipin e vet, ajo që kur e kaploi botën, pandemia Covid, ai nuk u mbyll, nuk u izolua e nuk u fsheh... ai doli në çdo lagje në çdo kohë. Ragipi e Hajdini dhe gjithë ekipa e komunës së Malishevës derisa të tjerët rrinin duke u frikësuar këta ishin te qytetari. Kjo komunë e ky njeri doli si komuna që më së miri e ka menaxhuar pandeminë. Ka mundur të bëhet si ky ministri i Shëndetësisë, e me nejt në shpi me shkru ne Facebook, ju e keni sakrifikuar vetën për qytetarët dhe keni sakrifikuar edhe shëndetin”, deklaroi Limaj.

E kandidati për kryetar të Malishevës nga kjo parti, Ekrem Kastrati, shpalosi pikat e programit të tij, duke e vendosur në krye infrastrukturën. Kastrati tha se synimi i tij do të jetë punësimi dhe përkrahja për qytetarët, derisa premtoi qeverisje transparente.