Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gjakovën, Teki Shala, ka premtuar dyfishimin e subvencioneve për bujqit, krijimin e një zyre në kuadër të komunës për lehtësimin e procedurave për aplikim të subvencioneve dhe ndërtimin e urës që lidh Hasin me Anadrinin. Infrastrukturë e hapësira të gjelbra kanë premtuar gjatë të martës edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie
Mbështetje të parezervë u ka premtuar bujqve kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjakovës, Teki Shala. Në një takim me ta që mbajti në Rogovë të Hasit, Shala u premtoi rritje të subvencioneve e krijim të një zyreje në kuadër të Komunës e cila do të merrej specifikisht me përgatitjen e dokumentacioneve për aplikim për subvencione. Takimin me bujqit Shala e ka mbajtur në një pikë grumbulluese të qumështit ku ka shpalosur një pjesë të programit për këtë sektor, duke theksuar se do t’i shtojë subvencionet prej 1 deri në 2 centë për litër qumështi. “Kufizimet buxhetore për këtë kategori nuk na lejojnë të lëvizim me shifra shumë të mëdha, por unë ju garantoj se subvencionimi në vitin e parë do të jetë së paku dyfishi, domethënë 100 për qind rritja”, ka premtuar Shala.
Bujqit u ankuan për kriteret e Qeverisë për subvencionimin, e tyre e gjithashtu edhe për procedurat dhe dokumentacionet e shumta që kërkohen për subvencionim.
“Duke i pasur parasysh vështirësitë që fermerët po ballafaqohen me aplikimin për subvencione dhe neglizhenca e zyrtarëve komunalë që mos të jenë në gjendje ta pranojnë dokumentacionin e fermerëve për subvencione në qendër, ne kemi paraparë që në kuadër të Komunës të krijohet një zyrë e veçantë ku do të merren ekskluzivisht me përgatitjen e projekteve dhe dokumentacionit për fermerët për aplikimin e tyre”, është shprehur Shala.
Banorët e kësaj ane u ankuan edhe për urën Rogovës e cila është dëmtuar rëndë pas vërshimeve, për të cilën Shala thotë se ekspertët kanë konstatuar se është me rrezikshmëri të lartë kalimi i saj më këmbë, e lëre më me automjete. Ai ka kritikuar kryetarin aktual Ardian Gjini dhe ish-kryetaren Mimoza Kusari-Lila për shpërfillje të këtij objekti që rrezikon jetën e banorëve. “Ne kemi planifikuar që në kuadër të buxhetit komunal të përgatisim projektin detaj për ndërtimin e kësaj ure që është faza fillestare për implementim të një objekti dhe do të kërkojmë me ngulm edhe nga Ministria e infrastrukturës edhe nga donatorët e ndryshëm që në dy vjetët e parë kjo urë të përfundojë punimet”, ka shtuar ai. Në Rogovë të Hasit ai ka premtuar edhe ndërtimin e një çerdheje.
Premtime të shumta në kuadër të fushatës kanë dhënë edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie për infrastrukturë, ngrohje qendrore e hapësira të gjelbra. Në Prishtinë kandidati Përparim Rama bashkë me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun ka vizituar “Banesat e Bardha” në kryeqytet, lagje në të cilën Rama ka thënë se ka një mori problemesh të cilat mund t’i zgjidhë vetëm programi i tij qeverisës. “Nga plateja e cila gjendet në gjendje të mjerueshme, tek mungesa e ngrohjes qendrore dhe ashensorëve, tek mungesa e hapësirave të gjelbra dhe rekreative, banorët e kësaj lagjeje ballafaqohen me shumë probleme për të cilat ne kemi paraparë zgjidhje konkrete në programin tonë”, ka thënë ai.
Armend Agolli, pretendues i LDK-së për të parin e Mitrovicës, ka thënë se qyteti mbi Ibër ka probleme të mëdha me menaxhim të mbeturinave, me deponi të shumta në hapësira publike dhe kontejnerë të pamirëmbajtur. Në projektin e tij për trajtimin e mbeturinave ai thotë se do të ndërtojë shtëpiza të mbyllura ku do të vendosen kontejnerët, në të cilët do të kenë qasje vetëm banorët e lagjes përkatëse. “Smart Bins janë kontejnerë të digjitalizuar, të cilët sapo të jenë mbushur njoftojnë kompaninë përgjegjëse për pastrimin e tyre. Në këtë mënyrë rrisim efikasitetin e kompanisë, zvogëlojmë shpenzimet e panevojshme dhe sigurojmë ambient të pastër pa mbeturina”, ka thënë Agolli.
Në Istog kandidati i LDK-së, Ilir Ferati, është takuar me gra udhëheqëse të bizneseve. Mes tjerash, ai u ka premtuar mbështetje bizneseve që udhëhiqen nga gratë e punësojnë gra, përmes eliminimit të të gjitha taksave e tatimeve komunale si dhe subvencionim të pagave. “Mbështetje të bizneseve që kultivojnë a përpunojnë bimë aromatike, përmes financimit të pikave grumbulluese. Mbështetje të bizneseve të specializuara në një lëmë, përmes profilizimit e krijimit të drejtimeve të reja në Shkollën e Mesme Profesionale sipas nevojave të tregut”, ka shtuar Ferati.