Lokalet 2021

Kronikë zgjedhore Totaj nënshkruan 50 premtime për 100 ditët e para të qeverisjes

Ashtu sikurse ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, edhe Shaqir Totaj ka zgjedhur metodën e nënshkrimit në mënyrë simbolike të premtimeve të tij. Totaj ka prezantuar 50 zotimet për 100 ditët e para të qeverisjes së tij në rast se zgjidhet kryetar. E në Drenas, për ta përkrahur Ramiz Lladrovcin, ka shkuar djali i ish- presidentit Hashim Thaçi

Isni Kilaj në Malishevë mbajti konferencë për prezantimin e programit të tij, por ai nuk e pa të nevojshme ta thotë ndonjë fjalë për të, pasi që pikat e programit i kishte të shkruara në një pankartë. Për këtë arsye foltorja e tij mbeti e zbrazët për disa minuta. E kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, megjithëse e pati të shkruar programin e tij, zgjodhi që edhe vetë të flasë për të. Ai ka prezantuar 50 zotimet e tij për 100 ditët e para të qeverisjes në rast se zgjidhet kryetar. Zhvillim ekonomik, arsim cilësor, përkrahje për kulturën e për shëndetësinë ishin disa nga premtimet që i dha ai. Sikurse ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, i cili në garën e kryeqytetit përfundoi i treti, edhe Totaj në mënyrë simbolike nënshkroi zotimet e tij.

“Formimi i ekipit punues për krijimin e programit ‘Mjek për çdo familje’. Ne do ta lansojmë programin ‘Mjek për çdo familje’, për ata të cilët janë në pension dhe nuk kanë mundësi të lëvizin apo të dalin nga shtëpitë. Formimi i ekipit punues të komunës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit për funksionalizimin e zonës ekonomike është një nga pikat shumë të përfolura. Janë dhënë shumë premtime, por vitet e fundit nuk ka pasur asnjë lëvizje, nuk është funksionalizuar”, u shpreh Totaj në një konferencë për media.

Totaj foli edhe për planin e krijimit të një fondi milionësh përmes së cilit, sipas tij, do të përkraheshin idetë inovative.

“Inicimi i procedurave për formimin e ekipit koordinues të fondit të veçantë milionësh për projekte inovative. Është një fond që do të formohet nga burimet vetjake të komunës dhe do t’i përkrahë idetë e reja për biznes të cilat vijnë kryesisht nga gratë dhe nga të rinjtë”, u shpreh Totaj.

Ndërkaq në Drenas përkrahje Ramiz Lladrovcit i ka dhënë djali i ish-presidentit Hashim Thaçi. Lladrovci bashkë me Endrit Thaçin kanë vendosur buqeta lulesh pranë shtatorëve të heronjve të kombit.

“Sot pata kënaqësinë të pres Endrit Thaçin, me ç'rast vendosëm kurora me lule dhe shprehem nderim pranë shtatoreve të heronjve tanë në sheshin ‘Fehmi Lladrovci’. Themeluesit e UÇK-së, njëherësh themeluesit e PDK-së, janë personalitete që historia ka rezervuar për ta vend të posaçëm dhe të papërsëritshëm”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

E në Shtime Naim Ismaili përmes një postimi në Facebook ka prezantuar projektin e “Parkut të pishave”. Teksa ka shkruar se bujqësia do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e tij edhe në mandatin e ardhshëm.
“Bujqësia, blegtoria dhe agroturizmi do të jenë prioritete në qeverisjen time për zhvillimin e fshatrave të Klinës. Komuna e Klinës do t’u bëhet krah pune bujqve të vyeshëm dhe me grante investive e subvencione do ta përkrahim tërë zinxhirin e prodhimit dhe nënsektorët me potencial zhvillimor”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Derisa në Komunën e Vushtrrisë kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi, ka premtuar mbështetje për bizneset.

“Bisedova edhe me bizneset që operojnë në shesh me të cilët do të dakordohemi për secilin veprim që do ta ndërmarrim për rregullimin e sheshit. Në fund u ndala në një biznes të vogël lojërash për të rinjtë, ku iu bashkova edhe lojës së tyre”, ka thënë Idrizi gjatë vizitës së tij në bizneset e qytetit.