Lokalet 2021

Kronikë zgjedhore \ Latifi në Rahovec premton 300 euro për gratë që lindin fëmijë

Premtime për shërbime cilësore në shëndetësi ka premtuar kandidati i AAK-së për Rahovecin, Smajl Latifi. Latifi ka bërë të ditur se në mandatin e ardhshëm nga 200 euro që i marrin aktualisht gratë pas lindjes, do t’i marrin 300 e do të synohet që kjo shumë të shkojë edhe në 500

Rregullimin e sheshit qendror të qytetit, objekt modern të qendrës së mjekësisë familjare e shërbime cilësore në shëndetësi ka premtuar Smajl Latifi në Rahovec.

“Në mandatin që po vjen ne do të përfundojmë sheshin qendror të qytetit, gjatë këtij mandati kemi përfunduar objekt modern të qendrës mjekësore familjare e njohur si Emergjenca. Kurse në mandatin që po vjen do të rrisim cilësinë e shërbimeve, do të ofrojmë edhe shërbime të reja dhe do ta bëjmë një shërbim shëndetësor shembull në gjithë Kosovën”, ka deklaruar Latifi.

Por kandidati i AAK-së në tubimin e organizuar ka thyer ligjin anti-Covid. Në videon e postuar nga ai shihet numër i madh i të pranishmëve ku nuk respektohej distanca e as nuk bartej maska. Teksa ka folur për punët që ka bërë në mandatin e kaluar, ai për mandatin e ardhshëm është zotuar se synojnë deri në 500 euro në muaj si përkrahje për gratë që lindin fëmijë.

“Gjatë këtij mandati kemi përkrahur gratë me lindje të reja me 200 euro e në mandatin që po vjen kjo përkrahje për gratë do të shkojë në 300 euro me synim që të rritet deri në 500 euro. Gjatë këtij mandati Komuna e Rahovecit arriti të shpallet e vlerësuar tri herë radhazi për çmimin e parë për transparencë e llogaridhënie”, ka thënë ai.

Po ashtu, Latifi është zotuar së do të gjejë zgjidhje për mbrojtjen e lumit Drin, si dhe ka premtuar përkrahje për bizneset e vogla dhe të mesme në Komunën e Rahovecit. Ndërkaq përkrahje edhe për një mandat i ka dhënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kandidatit të kësaj partie për Gjakovën, Ardian Gjini. Ashtu sikurse në Rahovec, edhe në Gjakovë, AAK-ja nuk i ka respektuar masat anti-Covid. Haradinaj me këtë rast e ka lavdëruar kryetarin aktual, si dhe ka falënderuar shtabin e tij për përkrahjen.

“Mos harroni se fitorja juaj ka qenë plebishitare mjaft bindëse...Këtu kemi qenë gjithë bashkë, me Ardianin, Palin, Teutën dhe gjithë të tjerët, nuk ka munguar asnjë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ardian Gjini, që po synon edhe një mandat në krye të Komunës së Gjakovës, ka thënë se të gjitha strukturat e partisë “janë të mobilizuara për fitore”.