Lokalet 2021

Kronikë zgjedhore \ Kilaj premton konkurs ndërkombëtar për rregullimin e Malishevës

Përkrahje për bizneset, fuqizim të pozitës së gruas e konkurse ndërkombëtare, janë disa nga premtimet që kanë dhënë kandidatët për kryetarë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. E në Vushtrri, Ferit Idrizi ka akuzuar partinë në pushtet atje për vandalizimin të pankartave të partisë së tij

Me premtime të njëjta sikurse të hënën e ka vazhduar fushatën e tij kandidati i PDK-së për Shtime, Naim Ismaili. Njëjtë si në ditën e parë të fushatës, ai ka premtuar përkrahje për bizneset lokale, teksa ka thënë se ato janë burimi kryesor i zbutjes së papunësisë.

“Sot patriotizëm në vendin tonë është që t'i mbështesim bizneset dhe bizneset të bëjnë punën e tyre të lirë, sepse ato po zbusin papunësinë, po i japin kuptim zhvillimit ekonomik dhe unë si kryetar i Komunës dhe si kandidat për kryetar për katër vjetët e ardhshëm do të jem një mbështetës i fuqishëm i bizneseve, sepse nga këto biznese, nga prodhimet e këtyre bizneseve, nga të ardhurat që po dalin nga këto biznese zhvillohen infrastruktura dhe mirëqenia e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

E lëvdatat për të nuk i ka ndalur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili që nga dita e parë e fushatës është duke e shoqëruar Ismajlin.
“Puna që e ka bërë Ismajli meriton të vlerësohet nga të gjithë dhe pa dyshim që të marrë edhe një mandat të ri, sepse e patë edhe ju sot te zona ekonomike e Shtimes një punë e jashtëzakonshme që është iniciuar dhe edhe realizuar nga qeverisja e Ismajli, ka sjellë jo vetëm disa biznese tepër serioze, por ka krijuar vende të reja të punës dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë komunale”, ka thënë ai.

Derisa në Malishevë u premtua një konkurs ndërkombëtar, i cili, sipas kandidatit Isni Kilaj, do t’i zgjidhë problemet që ka qyteti, e që, sipas tij, janë të shumta.

“Rregullimin e shëtitores së lumit ‘Mirusha’, shtigje për çiklizëm në të dy anët e rrugës, përkatësisht lumit nga qyteti i Malishevës deri te liqeni dhe anasjelltas. Rregullimin e parkut të qytetit, përkatësisht një rirregullim komplet të tij, rregullimin gjatë sheshit Ibrahim Mazreku, parkingje të reja, largimin e kabllove dhe shtyllave elektrike që i kemi përgjatë rrugëve kryesore”, ka deklaruar ai në një konferencë për media.

E në Drenas, Ramiz Lladrovci ka premtuar përkrahje për Sindikatën e Feronikelit.

“Përkrahje e plotë kërkesës së Sindikatës së Ferronikelit, drejtuar institucioneve qendrore shkresën e Sindikatës së pavarur të Punëtorëve të ‘NewCo Ferronikeli’, drejtuar kryetarit të Kuvendit, z. Konjufca, dhe të tjerëve, e cila shpreh brengën me kërkesë që të adresohet situata emergjente në gjigandin minerar të Kosovës në Drenas, e përkrah plotësisht”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Fuqizim të pozitës së gruas në shoqëri është premtuar në Drenas nga Lladrovci, kurse në Vushtrri, Ferit Idrizi ka akuzuar kryetarin aktual për vandalizimin e pankartave të partisë së tij.