Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ VV-ja premton shesh në qendër të Shtimes e transparencë për grante komunale

Fushatën e saj, Lëvizja Vetëvendosje e ka vazhduar me premtime të shumta zgjedhore. Ndërtim të shesheve, rrugë të reja, ndriçim publik, e transparencë për grante komunale, ishin disa nga premtimet që janë dhënë nga kjo parti. Ndërkohë, një pjesë e kandidatëve për kryetarë, kanë vazhduar me prezantimin e kandidatëve për asamble.

Shpejtim Bulliqi, kryetar aktual i Podujevës dhe njëkohësisht kandidat për një mandat tjetër në këtë komunë, fushatën e tij e ka vazhduar me shëtitje në sheshin e qytetit, bashkë me një grup personash me nevoja të veçanta.

Aty premtoi kushte më të mira për ta.

“Ne si institucione lokale ne do i kryejmë obligimet tona. Në radhë të parë me ju kriju mundësi në çasje në çdo institucion shtetëror, aty ku keni nevojë që t’i kryeni shërbimet tuaja. E dyta veprimin që e kemi bërë para pak kohe ishte mundësia e financimit që të ju krijohen mundësitë kategorisë tuaj prej dhjetë personash që të shkojnë në rehabilitim në banjat brenda territorit tonë”, ka thënë Bulliqi.

Gjatë ditës Bulliqi, nëpërmjet një postimi në Facebook, bëri të ditur përfundimin e rinovimit të palestrës së sporteve, “Hakif Zenjullahu”

Edhe bashkëpartiaku i tij, kandidat për kryetar të Shtimes, dha shumë premtime.

Qemajl Aliu premtoi ndërtimin e një sheshi të ri, ndriçim e asfaltim të rrugëve.

“Shesh modern në qendër të Shtimes, rregullimi i shtratit të lumit shtimjana nga të gjitha anët, ndërtimin e unazës së vogël dhe unazës së madhe të qytetit, asfaltim, ndriçim dhe trotuare për të gjitha rrugët parësore dhe dytësore nëpër fshatrat e komunës së Shtimes.”

E Mytaher Haskuka ka akuzuar pushtetet e kaluara, për keqpërdorim të granteve komunale.

"Në projektet e fundit ka pasë mbi 280 aplikime, më përpara në disa projekte ka pasë 40 aplikime e 40 përfitues në vitin 2017. Kjo cka tregon? Tregon që vetëm ata që kanë qenë të afërt me pushtetin, vetëm ata që kanë pasë lidhje me pushtetin janë njoftu dhe ju kanë tregu që më apliku”, ka deklaruar Haskuka.

Fushatën e kanë vazhduar edhe kandidatët e tjerë nga kjo parti. Janë përqendruar kryesisht në prezantimin e kandidatëve për asamble.