Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Vitia thotë se do ta fitojnë Prishtinën me çdo kusht

Menjëherë pasi la postin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia ka nisur angazhimin e tij për fushatën zgjedhore.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, është takuar me aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka thënë se me çdo kusht duhet ta fitojnë kryeqytetin.

“Ne jemi për me fitu me çdo kusht, edhe do të fitojmë me çdo kusht sepse ne duam ta ndërrojmë Prishtinën. Kjo nuk bëhet vetëm me Benin, kjo bëhet vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje e Lëvizja Vetëvendosje jeni ju”, ka thënë Vitia.

Nën moton “Bashkë qeverisim Ferizajn”, Valon Ramadani kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune ka shpalosur programin e tij.

Ramadani është zotuar se gjatë mandatit të tij do të ndërtojë laboratorë në shkolla, dhe stadium të ri të futbollit.

“Do ta ndërtojmë stadiumin e ri në Ferizaj, sepse qyteti i dytë më i madh në Kosovë është turp të jetë pa stadium. Do të ndërtojmë dhjetë fusha nëpër fshatra dhe një pishinë gjysmë olimpike në qytet, do t’i përkrahim kampionatet e shkollave dhe talentet e reja, do t’i pajisim me laboratorë kimie, biologjie secilën shkollë do t’i pastrojmë mjediset e shkollave brenda dhe jashtë objekteve të shkollave, do të hapim kinema në qytet dhe një bibliotekë të re për studentët, do ta rinovojmë Teatrin dhe Bibliotekën aktuale”

Programin për katër vjetët e ardhshëm e ka shpalosur edhe Mytaher Haskuka nga Prizreni.

Duke premtuar mbështetje e lehtësira për bizneset, ai ka kërkuar nga qytetarët edhe një mandat për ta udhëhequr Prizrenin.

“funksionalizimi i zonës ekonomike apo si njihet parku i biznesit është projekti i parë dhe i dyti modernizimi i fermave bujqësore në Prizren. Prizreni ka pozitë strategjike që ndërlidhë Kosovën me Shqipërinë, dhe së shpejti do të jetë pikëlidhëse edhe me Maqedoninë Veriore. Prandaj Parku i Biznesit në Prizren apo Zona Ekonomike me kushtet favorizuese me bizneset do të jenë një lehtësim i madh për ata që duan të bëjnë investime”, ka thënë Haskuka.

E, parqe industriale ka premtuar kandidatja tjetër e Vetëvendosjes Mimoza Kusari- Lila. Gjatë një vizite në një kompani private, ajo është zotuar se do të ketë lehtësira për ta.

Derisa Shpejtim Bulliqi nga Podujeva, ka premtuar rritje të buxhetit për kulturën.