Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja premton investime në bujqësi e kushte më të mira për zjarrfikësit

Me premtime të ndryshme e ka vazhduar Partia Demokratike fushatën e saj edhe të shtunën. Rritje të investimeve në bujqësi, kushte më të mira për zjarrfikësit, hapësira të gjelbra e parkingje janë disa prej tyre.

Me premtime për bujqësi e blegtori e ka nisur ditën e shtunë të fushatës, kandidatja për kryetare të Podujevës nga radhët e PDK-së

Gjatë vizitave te disa fermerë, Floretë Zejnullahu është zotuar se do t’i ndihmojë ata me disa masa konkrete.

“Fermerët do t’i ndihmojmë me masa konkrete duke ofruar: Përkrahje në sektorin e gjedhtarisë, përkrahje në ndërtimin e stallave, përkrahje në ndihma veterinare, përkrahje e fermerëve me ndërtim të serave, përkrahje me ndërtimin e pikave grumbulluese, përkrahje e fermerëve me mekanizëm bujqësor e mbështetje me këshilla profesionale."

Premtime për sektorin e bujqësisë ka dhënë edhe kandidati tjetër i PDK-së, ai për kryetar komune në Viti. Bekim Azizi, është zotuar për rritje të subvencioneve në rast se zgjidhet kryetar.

“Qeverisja ime do të jetë mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të bujqësisë dhe përkrahjes për fermerët tanë. Subvencionet dhe fondet komunale do të ndahen te fermerët meritorë. Subvencionet do të rriten ndjeshëm në mandatin katërvjeçar”, ka thënë Azizi.

E Bejtullah Deliu, kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit, ka vizituar zjarrfikësit e kësaj komune. Ai tha se prej problemeve kryesore për ta është rregullimi i kuotës për pagat e tyre. Theksoi se ky profesion meriton mbështetje më të madhe nga institucionet.

Nëpërmjet Facebook-ut, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar për fillimin e projektit për hapjen e një pusi në fshatin Kosinë, me qëllim të furnizimit më të mirë me ujë. Ai tha se ky projekt do të jetë i dobishëm jo vetëm për banorët e fshatit, por edhe më gjerë.

Ndërkaq, Uran Ismaili, kandidat për të parin e qytetit, ka vazhduar fushatën e tij në lagjen “Bregu i Diellit”, ku ka premtuar hapësira të gjelbra, parkingje si dhe shtigje biçikletash.