Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Kandidatët e LDK-së të bindur në fitore, disa edhe pa balotazh

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por edhe deputetë e ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja janë angazhuar në fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit. Ata, si edhe vetë kandidatët për kryetarë, janë shprehur optimistë për fitore në disa komuna

Të bindur në fitore janë shprehur kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave. Sipas tyre, nuk bën përjashtim as Komuna e Deçanit, ku deputetë e ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, i dhanë mbështetje kandidates për kryetare, Hyri Dobrunaj.

“17 tetori është mundësia jonë të cilën nuk do ta humbim, 17 tetori është gara jonë të cilën do ta fitojmë, 17 tetori është dita kur Deçanit do t’ia kthejmë dinjitetin”, ka thënë Dobrunaj.

Përkrahje asaj i ka dhënë edhe deputeti Armend Zemaj e ish-deputetja Besa Gaxherri. “Natyrisht që me Hyrijen jemi të gjithë krenarë e në mënyrë të veçantë unë. Por, t’ju them sinqerisht, më krenare jam me ju deçanas që po dini ta respektoni vlerën e një gruaje, punën e një gruaje”, ka thënë Gaxherri.

Njëjtë si në Deçan, i bindur në fitore është shprehur edhe kandidati dhe kreu aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se garën do ta fitojë pa balotazh. Kështu ka deklaruar pas mbështetjes që ka marrë nga banorët e një pjese të lagjes “Arbëria”, të cilëve njëherësh u ka premtuar edhe rregullimin e kanalizimit atmosferik.

“Kjo është dëshmi e madhe se fitorja do të kryhet me të parën më 17 tetor. Pas investimeve të mëdha në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit, ujësjellësit e më pas asfaltimin dhe ndriçimin, në vitin e parë të mandatit të ri do ta bëjmë edhe kanalizimin atmosferik në rrugën kryesore”, ka deklaruar ai.

E në Ferizaj kandidaten për kryetare, Sibel Halimi, e ka vizituar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilin kanë bërë një vizitë në fshatin Greme. Aty Halimi ka prezantuar programin, ku ndër të tjera është zotuar për ndërtimin e një çerdheje moderne e subvencionim të bizneseve.

“Gremja nuk do të lejojë që për teket e partive politike të mbesin fëmijët pa çerdhe. Gremja si fshat i bizneseve nuk e meriton ta ketë këtë neglizhencë nga institucionet lokale. Gremja meriton çerdhe moderne, subvencionim të bizneseve dhe qeverisje të mirë”, ka potencuar ajo.

Për mandatin tjetër që po synon, kreu i Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se bujqësia do të jetë një ndër top prioritetet e tij. Ai ka premtuar mbështetje me subvencione për bujqit, kompletim të infrastrukturës bujqësore dhe krijimin e qendrës për inovacione në bujqësi.

“Bujqësia do të mbetet, për ne, fusha me prioritetet të lartë, edhe gjatë mandatit të tretë. Përkrahja për bujqit dhe shoqatat e bizneset agro-përpunuese do të vazhdojë, infrastruktura bujqësore do të kompletohet, por do të bëjmë edhe qendër për inovacione në bujqësi”, ka theksuar Haliti.

Kryetari i Fushë-Kosovës, i cili po kandidon edhe për një mandat, Burim Berisha, ka dhënë disa zotime për fshatin Lismir. Ai ka premtuar asfaltim të rrugëve të mbetura, rregullim të stadiumit, subvencione për bujqit, derisa shuma e investimeve në këtë fshat është planifikuar të jetë 355 mijë euro dhe pjesa më e madhe e mjeteve do të shkojnë në infrastrukturë.

Në fshatin Doberdolan, kandidati për Suharekën, Ardian Shala, ka shpalosur programin e tij qeverisës, i cili ka thënë se siguron prosperim ekonomik, shëndetësor e arsimor. Ai ka dhënë disa premtime për infrastrukturë.

“Rregullimi i rrugës ‘Shkolla’, rregullimi i rrugëve lokale dhe trotuareve, rregullimi i rrethojave të varrezave, rregullimi i kanalizimit të mbetur, ndriçimi publik, ndërtimi i kroit të fshatit dhe shëtitores”, ka deklaruar Shala.