Gjatë vizitave në lagjet e komunës së Skenderajt, Dega e PDK-së me kandidat Fadil Nurën ka shkelur masat anti-COVID. Në fotot e postuara në rrjetet sociale shihet numër i madh i njerëzve brenda një fushe futbolli, të cilët nuk kishin maska e as nuk respektonin distancën fizike, edhe pse një gjë e tillë është rekomanduar nga IKSHPK-ja. Aty Fadil Nura u shpreh i bindur për fitore.
“Nga këtu ju siguroj se Skenderajt po i vijnë ditë më të mira, për secilin qytetar që jeton këtu dhe për secilin që do të jetë pjesë e së ardhmes së këtij vendi”, shkroi Nura në Facebook.
E në 22-vjetorin e themelimit të PDK-së, Uran Ismaili vizitoi lagjet e Prishtinës, Kolovicë dhe Vneshta.
Gjatë prezantimit të zotimeve të tij për këto dy lagje, Ismaili u shpreh se reshjet e shiut nuk e pengojnë ekipin e tij, sepse, siç tha, vullneti është i madh për fitore.
Ai akuzoi pushtetin aktual në Prishtinë për moszgjidhje të problemeve elementare të lagjeve.
“Është e papranueshme që lagjet tuaja të kenë edhe sot, në vitin 2021, probleme elementare për jetë normale, sikurse trajtimi i ujërave të zeza, mungesë të çerdheve e ambulancës, mungesë të rrugëve e trotuareve, mungesë të shportave për hedhjen e mbeturinave, e mungesën e fushave sportive e ambienteve rekreative për frekuentim me fëmijët e familjet tuaja”, ka deklaruar Ismaili.
Ismaili u premtoi banorëve të lagjeve Kolovicë e Vneshta trajtim të ujërave të zeza, ndërtim të çerdheve e ndërtim të rrugëve e trotuareve.
“Deri në vitin 2024 do t’i rregullojmë këto probleme: Formalizimi i ndërtimeve ilegale – procesi i legalizimit, trajtimi i sistemit të ujërave të zeza, ndërtimi i çerdhes në afërsi të ambulantes, shfrytëzimi i pronës komunale (ku ka nisur projekti për postën) për fushë të sportit, rregullimi i rrugëve dhe shtimi i trotuareve, ndërtimi i shtigjeve për çiklistë në rrugët kryesore, breza të gjelbër përgjatë rrugëve kryesore, ndriçim dhe shenjëzim të rrugëve që kanë nevojë”, ka deklaruar ai.
Stadium me bari sintetik e me kapacitete prej 2000 ulësesh ka premtuar Ali Nimanaj në Istog. Ky stadium, sipas tij, do të përfundojë brenda dy vjetëve.
“Pesë minuta larg qytetit, këtu skaj bjeshkëve do ta ndërtojmë stadiumin ndihmës të futbollit. Projektin e kemi të gatshëm. Ky stadium do të ketë fushën me bari sintetik, rrathët për vrapim, tribunat deri në 2000 ulëse, zhveshtoret moderne, si dhe ndriçimin. Stadiumi do të jetë i gatshëm brenda dy vjetëve”, ka shkruar Nimanaj në Facebook.
E Bedri Hamza në Mitrovicë ka akuzuar qeverisjen aktuale në këtë qytet për, siç ka thënë ai, neglizhim të sportit. Ai është zotuar se me të si kryetar, sportistët do ta kenë mbështetjen maksimale.
“Fatkeqësisht, sot sporti dhe sportistët që dhanë aq shumë për Mitrovicën janë lënë tërësisht nën pluhurin e harresës. Ju garantoj që më kështu nuk do të jetë, sepse bashkë do t’ia kthejmë dinjitetin dhe krenarinë qytetit tonë”, ka thënë Hamza.
Hyzer Rizani në Lipjan ka premtuar mbështetje për të rinjtë që hapin biznese të reja, praktikë me pagesë e bursa për studentë.
“Në programin qeverisës të Partisë Demokratike të Kosovës rinia zë një vend të posaçëm, në këtë program parashihet vetëpunësimi i të rinjve që hapin Start Up, mbështetje financiare të nismave rinore, praktika me pagesë për të rinjtë, bursa për studentë, shkolla të reja e disa pika të tjera”, ka thënë Rizani.