Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeqytetin, Uran Ismaili, gjatë vizitës në kompaninë “Pastërtia” është zotuar se për 100 ditët e para të tij do ta zgjidhë çështjen e mbeturinave në kryeqytet. Disa nga zgjidhjet, sipas tij, janë orari më i shpeshtë i grumbullimit, si dhe vendosja e kontejnerëve në çdo lagje. Ndërkaq bashkëpartiaku i tij, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka premtuar fonde për bizneset e udhëhequra nga gratë dhe të rinjtë.
Të enjten fushatën e tij kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës e ka filluar me vizitë në kompaninë “Pastërtia”.
Uran Ismaili është zotuar se për 100 ditët e para të qeverisjes së tij do ta zgjidhë problemin e mbeturinave.
Një nga mënyrat, sipas tij, është duke e bërë orarin e grumbullimit më të shpeshtë.
“Për ta bërë Prishtinën më të pastër ne i kemi bërë edhe disa intervenime apo propozime për të intervenuar. E para me i vendos shportat e lagjes në çdo pjesë të qytetit sepse ka hapësira të shumta të Prishtinës që mbeturinat e dorës nuk ke ku me i hudhë dhe kështu krijojmë një mundësi që qyteti të jetë më i ndotur nga vetë qytetarët tanë”, ka thënë ai.
Ka premtuar se gjatë mandatit të tij planifikon digjitalizimin e kontejnerëve për të treguar kapacitetet e tyre mbushëse.
“Duhet blerë makina transportuese të ndryshme, këtë e pamë edhe nga takimi me menagjmentin pastrimi në mënyrë që ato makina të jenë të vogla dhe të shpejta për transporte më të lehta e për të larguar mbeturinat nga lagjet tona. Një gjë e tretë është që po ashtu që kontejnerët tanë duhet të kenë një lloj digjitalizimi, pra duhet të digjitalizohen ashtu që të sinjalizojmë qendrën grumbulluese për të treguar se kur mbushet kapaciteti i tyre prej 70%”, ka premtuar Ismaili.
Ndërkaq kandidati për të parin e Prizrenit, Shaqir Totaj, ka premtuar fond për bizneset e grave dhe të rinjve.
“Kemi me kriju një fond, jo prej burimeve qeveritare po prej burimeve vetanake komuna që i krijon me bë një fond, për ta bërë një fond i cili fond ka me i përkrahë idetë e reja për biznes që vijnë kryesisht prej grave dhe të rinjve”, ka thënë Totaj.
E Bejtullah Deliu, kandidat për kryetar të Rahovecit, ka treguar se një nga prioritetet e tij është sporti, dhe është zotuar se do të ketë mbështetje financiare për sportistët.