Muhamed Kallaba, kandidat i PDK-së për kryetar të Kamenicës, ka shpalosur programin e tij.
Kallaba ka premtuar zhvillim ekonomik, si dhe mbështetje për bizneset e lehtësira për ta zhvilluar aktivitetin e tyre.
Është zotuar edhe për reforma në arsim, por siç ka thënë, jo në mënyrën siç e ka bërë kryetari aktual i komunës.
Stadium të ri të futbollit e pallat të sporteve luftarake ka premtuar Agim Aliu në Ferizaj.
Aliu është zotuar se në mandatin e ardhshëm do të ndërtojë edhe fusha futbolli në fshatra.
“Në kuadër të projekteve të sportit kemi paraparë që të ndërtohet stadiumi i ri i qytetit ‘Ismet Shabani’, në hapësirën në mes të pallatit të sportit ‘Bill Clinton’ dhe të Institutit hidro-meteorologjik. Është një hapësirë prej 6 deri në 8 hektarë, mirëpo ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndërtimin e këtij stadiumi. Në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, do të bëjmë edhe një stadium stërvitor në periferi të qytetit të Ferizajt”, ka premtuar Aliu.
E në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, Uran Ismaili, kandidat i PDK-së për kryetar të komunës, ka nënshkruar një listë me zotimet e tij për këtë lagje.
“Zotimet janë pastërti e ndriçim efiçient në çdo pjesë të lagjes, parking për çdo familje, largim i problemit të qenve endacakë, shtim i brezave gjelbërues dhe hapësirave sportive, ndërtim i shtigjeve për biçikleta dhe ndërlidhje e tyre me lagjet e tjera, ulje e shpejtësisë së vozitjes brenda lagjes në 30 kilometra për orë, rigjenerim i plateve dhe hapësirave garazhuese, shtimi i pikave grumbulluese të mbeturinave dhe shportave të rrugës”, ka premtuar Ismaili.
Në Mitrovicë, Bedri Hamza ka paraqitur projektin e tij për gjimnazin “Frang Bardhi” dhe shkollën ekonomike “Hasan Prishtina”.
Sipas tij, ky projekt parasheh futjen e digjitalizimit në shkollave, si dhe pajisjen e tyre me kabinete.
Kurse në Prizren, Shaqir Totaj ka paraqitur projektin për një park të ri, i cili, sipas tij, do të ketë parkingje e hapësira të dedikuara për aktivitete kulturore.