Aleanca Kosova e Re ka premtuar investime milionëshe në lagjen “Ulpiana”, në Prishtinë. Kandidati Gëzim Mehmeti ka thënë se nga programi i tij për kryeqytetin rrjedhin një sërë projektesh për këtë lagje, mes tyre 5 kënde lojërash për fëmijë e 15 pika parkingjesh. Mbështetjen për Mehmetin e ka kërkuar edhe nënkryetari aktual i Prishtinës, Selim Pacolli.
Kandidati i Aleancës Kosova e Re, për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, programin e tij për kryeqytetin e ka prezantuar të enjten para banorëve të lagjes “Ulpiana”, në Prishtinë.
Ai premtoi investim prej 1.5 milionë eurosh sivjet në “Ulpianë”, duke përmendur projekte si parkingje e kënde lojërash për fëmijë.
“Janë paraparë diku mbi 15 parkingje në Ulpianë të cilat do të ndërtohen e rindërtohen dhe qytetarët e Prishtinës të kësaj lagje do të kenë mundësi që veturat e tyre t’i kenë të sigurta... Në këtë pjesë kemi menduar edhe vendosjen e 5 këndeve të lojërave”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti si problematikë në kryeqytet përmendi edhe ndërtimet pa leje që nga paslufta, për të cilat tha se do të gjejë zgjidhje të shpejtë.
“Kjo faza pas 99-ës në një formë u degradua qyteti i Prishtinës me ndërtime pa leje dhe këtë nuk do ta lejojmë assesi. Do të legalizohen në ditën që e kanë bërë qytetarët kërkesën për legalizim, brenda 6-8 muaj do të zgjidhen rastet nuk do të lëmë raste pezull”, ka shtuar ai.
Kandidatit të AKR-së mbështetje i ka dhënë edhe nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli.
“Unë bëj thirrje që të mbështet vizioni i Gëzim Mehmetit, që ne të kemi mundësi që edhe për katër vjetët tjerë që i kemi në synim, që t’i përfundojmë projektet dhe t’i rrumbullakojmë premtimet tona për këtë lagje ashtu edhe në lagjet e tjera”, është shprehur Pacolli.
Investime në “Ulpianë” ka premtuar edhe kandidatja e AKR-së për asamble nga kjo lagje, Delvina Tahirsylaj.