Mytaher Haskuka në Prizren duke e kërkuar edhe një mandat tjetër në Prizren ka paraqitur projektet e tij. E në Lipjan Adnan Rrustemi ka premtuar kabinete të reja në shkolla, si dhe digjitalizim të tyre. Në kuadër të fushatës zgjedhore në Podujevë, Shpejtim Bulliqi ka përuruar një projekt të ndriçimit publik
Prishtinë, 11 tetor- Kandidati i LVV-së për kryetar të Lipjanit, Adnan Rrustemi, përmes një videoadresimi në Facebook, u ka premtuar qytetarëve depolitizim të arsimit. Rrustemi ka thënë se bashkë me ekipin e tij do të punojnë për rritjen e cilësisë në arsim. E një nga mënyrat, sipas tij, është futja e teknologjisë në shkolla, si dhe digjitalizimi i tyre.
“Ne zotohemi se do të bëjmë depolitizimin e arsimit, duke përfshirë shoqërinë civile e Këshillin e Prindërve gjatë zgjedhjes së drejtorëve të shkollave. Shumica dërrmuese e shkollave tona nuk kanë kabinete, ne synojmë të pajisim të gjitha shkollat me kabinete, biblioteka e salla leximi”, ka thënë Rrustemi.
Qemajl Aliu në Shtime e ka quajtur të pakëndshme qeverisjen aktuale të Komunës.
Nën shoqëri të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ai ka thënë se bashkë me ekipin e tij kanë identifikuar problemet e qytetit, dhe se tashmë ata kanë zgjidhje për to.
“Tri gjërat e para që i kam bërë personalisht bashkë me ekipin tim kanë qenë unifikimi i grupit, identifikimi i problemeve. Kemi dalë në secilin fshat, secilën lagje, në mënyrë që ta kuptojmë se çfarë problematikash reale ka populli ynë, në mënyrë që nesër mbas 17 tetorit ne ta kemi projektin tonë të gatshëm”, ka thënë Aliu.
E, Shpejtim Bulliqi në Podujevë ka bërë përurimin e një projekti të ndriçimit publik. Bulliqi ka thënë se ky projekt do ta rrisë shkallën e sigurisë për qytetarët.
Në fund ai është shprehur i bindur se do të dalë fitues nga këto zgjedhje.
“Në vazhdën e këtij projekti të ndriçimit publik, sot po bëjmë përurimin e 20 kilometrave të ndriçimit publik, besoj shumë që ky ndriçim publik është në të mirë të qytetarëve, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkallës së sigurisë për ta”, ka thënë Bulliqi.
E, gjatë një vizite në një klinikë veterinarie, Agim Bahtiri në Mitrovicë ka thënë se kjo komunë është nga të paktat në Kosovë që e ka trajtuar seriozisht problemin e qenve endacakë.
“Nën udhëheqjen time, Mitrovica është ndër komunat e pakta në Kosovë që e ka trajtuar dhe po e trajton seriozisht problemin e qenve endacakë dhe të braktisur. Sot vizituam klinikën veterinare “Mitro Vet”, me të cilën kemi marrëveshje pikërisht për trajtim të qenve endacakë. Partner strategjik në këtë aspekt e kemi edhe organizatën zvicerane ‘Stray Coco’, të cilët janë të kënaqur me përgjigjen tonë pozitive, pasi që e bashkëfinancojmë këtë projekt”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
E gjatë një vizite në shoqatën “Trafiku Urban”, Arben Vitia, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, u ka premtuar atyre mbështetje dhe zgjidhje të problemeve.
“Transportin publik duhet ta ndërlidhim në atë mënyrë që të jetë sa më cilësor dhe pranë qytetarëve, duke mundësuar linja të rregullta në të gjitha periferitë e Prishtinës, duke rritur standardet e shërbimit dhe kapacitetet, përkitazi me kërkesat e qytetarëve, e po ashtu duke mundësuar vende të reja pune me kontrata të rregullta”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Ndërkaq kandidati i LVV-së edhe për një mandat tjetër në Komunën e Prizrenit ka prezantuar projektet e përfunduara në mandatin e tij.