Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / PDK-ja zotohet për investime në shëndetësi, bujqësi, transport e digjitalizim të arsimit

Partia Demokratike e Kosovës e ka vazhduar fushatën me premtime të shumta. Ndërtimi i Qendrave Mjekësore Familjare, legalizim të transportit për kombibusë, investime në bujqësi, lëndë të kodimit nëpër shkolla, janë disa nga zotimet e kandidatëve të kësaj partie

Partia Demokratike e Kosovës të martën e ka vazhduar fushatën zgjedhore me vizita e zotime të ndryshme në qytetet përkatëse. Agim Aliu, kryetar i Komunës së Ferizajt dhe njëkohësisht kandidat edhe për një mandat tjetër, ka vizituar Spitalin e Përgjithshëm të qytetit.

Aty është zotuar se në mandatin e ardhshëm do ta nisë ndërtimin e disa qendrave të mjekësisë familjare, në qytet dhe në fshatra, si dhe ka thënë se do të insistojë tek niveli qendror që Spitali i ri i qytetit të përfundoj sa më parë.

“Ferizaj që duam, në mandatin e ri, ka objektiv të qartë shëndetësinë, duke rritur e fuqizuar kapacitetet e saja, që nga ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në Koshare dhe Rakaj, insistimi te Ministria e Shëndetësisë që sa më parë të përfundojë ndërtimi i Spitalit të Ri - projekt i bartur nga ana e tyre, e deri te themelimi i Qendrës Diagnostike në kuadër të shërbimit primar shëndetësor, investime këto që i bëjnë mijëra punonjës shëndetësorë të Ferizajt të punojnë në kushte të përshtatshme pune, duke rritur kështu njëkohësisht cilësinë e shërbimeve për pacientët”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ai ka shtuar se do të fillojë punimet për një park tek “Kodra e Sherretëve” në Ferizaj.

E kandidati tjetër i PDK-së për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë një vizite tek një fermer, ka thënë se qeverisja e kryetarit aktual i ka harruar ata. Ai premtoi mbështetje për sektorin e bujqësisë. Po ashtu, Totaj ka premtuar ndërtimin e një stacioni të ri të autobusëve si dhe transport publik 24-orësh.

“Ne do ta ridefinojmë rrënjësisht transportit publik në komunën tonë, i cili ka mbetur pa u rishikuar që nga koha e ish KFOR-it gjerman në Prizren. Gjatë mandatit tim katër vjeçar, Prizreni do të bëhet me një stacion modern të transportit publik duke ofruar shërbime funksionale për të gjithë banorët e duke ndërlidhur komunën tonë me komunat e tjera”, ka shkruar Totaj në Facebook.

Investime në bujqësi, ka premtuar edhe kandidati i PDK-së në komunën e Istogut, Ali Nimanaj.
Gjatë një vizite në fshatin Kaliqan, Nimanaj premtoi rregullimin e sistemit për ujëra të zeza, ndriçim rrugor e një fushë sporti.

“Së bashku me kandidatin për Asamble Komunale, Demë Osmanaj, vizituam fshatin Kaliqan. Aty u pritëm nga banorë të këtij fshati, kërkesat e tyre ishin që të ketë më shumë investime në bujqësi, të ketë ndriçim dhe po ashtu kërkesë e tyre ishte edhe vendosja e sistemit të ujërave të zeza”, ka thënë Nimanaj.

Ndërkaq, Bedri Hamza, në një takim me pronarët e kombibusëve në Mitrovicë, u ka premtuar atyre legalizimin e linjave të transportit.

“Me punën që çdo ditë e bëjnë, pronarët e kombi-busëve i mbajnë mbi 70 familje mitrovicase. Ata i garantova se në qeverisjen time nuk do t’u mungojë asnjëherë përkrahja komunale. Së bashku, duke e gjetur modalitetin më të mirë dhe më funksional të operimit, ne do t’i legalizojmë linjat e transportit dhe me grante investive do t’i mbështesim për zhvillimin e bizneseve të tyre”, ka thënë Hamza.

E kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shkollat e Prishtinës do të jenë model për rajonin, ato do të kenë tabela digjitale, kompjuterë dhe lëndë të kodimit. Po ashtu, ka premtuar edhe 100 km shtigje të biçikletave që janë të lidhura në mes vete.