Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Lehtësira për bizneset që drejtohen nga gratë, premtojnë kandidatet e PDK-së

Dy kandidatet e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar fushatën me vizita në bizneset lokale të qytetit, si dhe me shpalosjen e programit të tyre. Leonora Bunjaku, kandidate e PDK-së për kryetare të Gjilanit, ka premtuar heqjen e taksës komunale për bizneset që udhëhiqen dhe punësojnë gra. Derisa Arbnesha Kuqi, kandidate e kësaj partie për kryetare të Gjakovës, ka shpalosur gjashtë shtyllat e programit të saj qeverisës

Dega e PDK-së në qytetin e Gjilanit, me Leonora Bunjakun si kandidate për kryetare të qytetit, të mërkurën e kanë zhvilluar fushatën e tyre me ecje në rrugët e qytetit. Gjatë rrugës, Bunjaku është ndalur për vizitë në bizneset e vogla të qytetit për t’i njohur për së afërmi brengat e tyre. Ajo u ka premtuar atyre mbështetje në rast se ajo zgjidhet kryetare e komunës.

E në vizitën e saj tek një ndërmarrje private e cila udhëhiqet nga një grua dhe po ashtu janë të punësuara shumica prej tyre gra, Bunjaku është zotuar se do ta heqë taksën komunale.

“Po jua jap fjalën se ne kemi në programin tonë qeverisës shumë lehtësira sidomos për gratë ndërmarrëse edhe atëherë kur gratë i kanë të punësuara. Kështu që njëra ndër brendet që keni me u përkrah më së shumti e në këtë rast po ju premtoj që taksën komunale ne do t’ua largojmë, ndërmarrëset gra do t’i subvencionojmë dhe do të kenë përkrahje të fuqishme”, ka deklaruar Bunjaku.

Ajo më tej ka shtuar se do të krijojë fonde të veçanta për t’i mbështetur gratë ndërmarrëse dhe të rinjtë e qytetit të Gjilanit.
“Në mandatin tonë gruaja do ta ketë rolin përveç vendimtar, rolin përkrahës dhe kemi shumë e shumë fonde me të cilat do t’i përkrahim dhe do t’i subvencionojmë në veçanti gratë ndërmarrëse si ju dhe shumë të tjera, besoj në të ardhmen... Ne do të jemi motiv shtesë për to, ne do t’i përkrahim gjithmonë”, ka thënë Bunjaku.

Kandidatja tjetër grua nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Komunës së Gjakovës, Arbnesha Kuqi, përmes një videoincizimi e ka shpalosur programin e saj për mandatin 4-vjeçar.
"Plani im bazohet në 6 shtylla: qeverisje e mirë, e hapur, transparente e llogaridhënëse; zhvillim dhe përkushtim për një arsim cilësor e shpërblyes; zhvillim ekonomik dhe zgjerim të potencialit investues; shëndetësi cilësore dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, zhvillim i sportit, artit dhe kulturës; shërbime publike efikase në çdo vendbanim, fshat e lagje”, ka thënë Kuqi.

Kuqi u zotua se 60% e kabinetit të saj si kryetare do të përbëhet nga gratë, do të ofrojë transparencë të plotë financiare dhe publikim të të gjitha shpenzimeve, digjitalizim të mëtejmë të shërbimeve administrative, digjitalizim të arsimit, dyfishim të numrit të përfituesve të bursave studentore nga 100 në 200, zgjidhje të qëndrueshme të problemit të ujit të pijshëm, rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjetit të ujerave të zeza, si dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore.

"Gjatë mandatit tim do të ndërtojmë numër të mjaftueshëm të çerdheve me bazë në komunitet, sipas kërkesës së qytetarëve dhe nevojës së tyre. Kjo është nevojë dhe kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve të Gjakovës. Sot e tutje është premtim dhe zotim i imi i hapur. Do të kemi plan për klasat e bashkangjitura, dhe fond të veçantë për HENDIKOS. Do të organizojmë mësimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, përfshirë transportin dhe shujtat për ta. Ngjashëm do të organizojmë transportin për të gjithë nxënësit që udhëtojnë, kudo që është e nevojshme, në çdo zonë brenda komunës tonë", ka thënë Kuqi.

Kuqi më tej premtoi subvencionim transparent të granteve për bizneset Start-Up dhe për ndërmarrjet e vogla e të mesme, sidomos për ato që punësojnë te rinjtë dhe gratë. Ndërkaq Uran Ismaili, kandidat për të parin e kryeqytetit, ka premtuar parkingje për secilën familje në çdo lagje të kryeqytetit.