Digjitalizim të QKMF-ve dhe ambulancave ka premtuar Ferit Idrizi, kandidat i PDK-së, gjatë shpalosjes së programit të tij. Bedri Hamza nga Mitrovica është zotuar se do të ndërtojë një muze të ri dhe një bibliotekë të qytetit. Ndërkaq, Uran Ismaili në Prishtinë, ka vazhduar me nënshkrimin e zotimeve të tij në lagjen “Kodra e Trimave”
Ferit Idrizi, kandidat i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, e ka prezantuar programin e tij. Ka thënë se plan-programi përmban 7 objektiva kryesore, e që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, arsim cilësor e shëndetësi funksionale. Idrizi është zotuar se gjatë mandatit 4-vjeçar, do të ketë ofrim të shërbimeve shëndetësore në shtëpi për personat me nevoja të veçanta, si dhe shujta falas për mjekët e infermierët.
“Objektivat e kësaj fushe janë, funksionalizimi dhe digjitalizimi i plotë i të gjitha qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave, riorganizimi dhe reformimi i sektorit të shëndetit oral, avancimi dhe modernizimi e fuqizimi i punës diagnostike në shërbimin primar, zhvillimi i mjaftueshëm profesional i mjekëve dhe infermierëve dhe punëtoreve të tjerë shëndetësorë. Ofrimi i shërbimeve shëndetësore në shtëpi për personat e palëvizshëm, pagesa e shujtës për të gjithë mjekët e infermierët”, ka thënë Idrizi. Ai ka shtuar se do të eliminohen mbeturinat dhe do të jenë prioritet hapësirat e gjelbra.
“Mbrojtja e ambientit do të zërë vend në programin tonë qeverisës duke u kujdesur për pastërtinë e lumenjve, eliminimin e mbeturinave, krijimin e sipërfaqeve të gjelbra, si dhe mbjelljen e drunjve dekorativë në oborret e shkollave, institucioneve, shëtitoreve. Përfundimi i infrastrukturës rrugore, ujësjellësi dhe kanalizimi në të gjitha fshatrat, ndriçimi i rrugëve në qytet dhe në fshatra, rinovimi e mirëmbajtja e rrugëve”, ka thënë ai.
E, Bedri Hamza, në Mitrovicë përmes një postimi në Facebook, e ka paraqitur projektin për muzeun e ri të qytetit, si dhe të bibliotekës.
“Në muzeun e ri do të kemi më shumë hapësirë për ruajtjen e trashëgimisë sonë, a ashtu siç do t’u krijojmë më shumë hapësirë edhe të rinjve e studentëve me bibliotekën e re, ku do të gjejnë hulumtime dhe arkivime të rëndësishme”, ka shkruar Hamza në. Kurse, në një tubim me qytetarë, Hamza ka thyer rregullat për masat anti-COVID, sepse ka mbledhur më shumë njerëz se sa që lejohet.
Parking nëntokësor dhe park të qytetit ka premtuar Shaqir Totaj në Prizren.
Ai ka thënë se hapësira e parkut do të jetë 57 mijë metra katrorë, e cila do të përmbajë hapësira të gjelbra e shtigje biçikletash.
“57,000 metra katrorë do të transformohen në më shumë hapësira gjelbërimi, argëtimi për të rinjtë dhe pushimi për më të moshuarit. Shtigje të reja për këmbësorë dhe çiklistë, si dhe rregullimi i shtratit të Lumbardhit përreth parkut”, ka shkruar Totaj në Facebook.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vazhduar me nënshkrimin e zotimeve për punët që do t’i kryejë nëpër lagje të Prishtinës. Para banorëve të lagjes Kodra e Trimave, ka premtuar se 17 zotimet e nënshkruara do të përmbushen deri në dhjetor të vitit 2024.
“Krijimi i parqeve të reja në lagje dhe shtimi i hapësirave publike; Brezi i gjelbër përgjatë rrugës kryesore M25 dhe në rrugët e tjera; Ndriçim efiçient i të gjitha rrugëve; Ndërtimi i bibliotekës së lagjes; Largimi i problemit të qenve endacakë; Shndërrimi i ish-deponisë në park rekreativ sportiv; Ndërtimi i qendrës komunitare/kulturore tek ish-deponia; Realizimi i Muzeut shkollë-shtëpi (Shtëpia e Herticëve); Ndërtim i shkollës së mesme; Trajtimi dhe ri-organizimi i tregut të kafshëve dhe veturave”, ka deklaruar Ismaili në një konferencë për media.
Derisa, kandidatja për kryetare të Gjakovës, Arbneshë Kuçi, ka vazhduar aktivitetet e saj në qytet, duke premtuar parkingje e shtigje për biçikleta.