Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Fadil Nura i kërkon ballafaqim publik Bekim Jasharit

Kandidati i PDK-së për Skenderaj, Fadil Nura, ka thënë se është i gatshëm 24 orë për të debatuar mbi programet e tyre në debatin me kundërshtarin e tij, Bekim Jashari. Ndërkaq Ramiz Lladrovci, kandidat edhe për një mandat në Drenas, ka shpalosur programin e tij për rininë, i shoqëruar nga kryetari i partisë, Memli Krasniqi

Ramiz Lladrovci në Drenas, nën shoqërinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka paraqitur programin e tij për rininë. Para një numri të të rinjve të Komunës së Drenasit, Lladrovci përmendi punët e tij gjatë mandatit të kaluar, dhe u premtoi atyre se do të vazhdojë t’i përkrah ata.
“Trajnimi në fushën e IT-së, duke i përgatitë pjesëmarrësit për treg të punës. Subvencionet për rininë në vlerë prej 17 mijë e 480 eurosh. Jam kryetari i parë që i kam dhënë mjete financiare KVL-së, që ata me i zhvillu sipas programit të tyre, sepse përpara pagesat i ka bërë dikush tjetër ose komuna, por jo rinia”, ka deklaruar Lladrovci.
Ftesë për debat i ka kërkuar Fadil Nura i PDK-së, kundërkandidatit të tij Bekim Jashari, në garën për Komunën e Skenderajt. Gjatë një tubimi me simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, Nura ka thënë se është i gatshëm 24 orë për ballafaqim të ideve me kryetarin aktual.
“Jam i gatshëm të ftoj kundërkandidatin dhe t’i ofroj debat, jam i gatshëm 24 orë t’i ballafaqojmë idetë, programet, vizionin, konceptet tona politike për të ardhmen e Skenderajt”, ka thënë Nura.
E fitore të thellë ka kërkuar Sami Lushtaku për Partinë Demokratike në Skenderaj.
“Uroj që fitorja e Partisë Demokratike të jetë e thellë, të jetë bindëse, t’u dërgojmë mesazh atyre që sot mendojnë që Partia Demokratike është dëmtuar në Skenderaj”, ka thënë Lushtaku.
Ndërkohë, të hënën e të martën në Prishtinë, Uran Ismaili e ka intensifikuar fushatën e tij. Gjatë kësaj kohe ai ka vizituar zjarrfikësit në ora 2 të mëngjesit, në 3 Trafikun Urban, e në 6:30 tridhjetë Tregun e Gjelbër. Aktivitetet i përfundoi në ora 8 të mëngjesit, ku premtoi themelimin e një ekipi që do të punojë në ndërrimin e dytë.
“Do të ndërtoj një ekip që punon në ndërrimin e dytë në komunë. Ekipi do të udhëhiqet nga një nënkryetar që ndihmon realizimin e të gjitha proceseve që Prishtina të jetë e gatshme, kur banorët fillojnë ditën në mëngjes. Prishtina është qytet që për plotësimin e nevojave të saj kërkohet angazhim i vazhdueshëm i Komunës për planifikim dhe shërbime 24 orë”, ka deklaruar Ismaili.

Ai ka shtuar se nuk mjafton vetëm një pjesë e ditës për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. E sipas tij, me të si kryetar Prishtina do të ketë shërbime 24-orëshe.

“Prandaj, unë besoj që Prishtina duhet të bëjë hapin e radhës dhe të mobilizojë të gjitha kapacitetet e saj në çdo orë të ditës dhe natës. Për ta bërë Prishtinën qytet më të gjallë duhet ofruar shërbime 24-orëshe: siguri, pastërti, trafik urban…Nëse koncentrohemi vetëm në një pjesë të ditës, shumë raste për përmirësim të jetës sonë do t’i humbim”, ka shtuar ai.

Derisa, ftesë publike për debat në Komunën e Vushtrrisë i ka bërë Ferit Idrizi, kryetarit aktual të kësaj komune, Xhafer Tahiri, të cilin e ka akuzuar për afera korruptuese.

“E ftoj publikisht që së bashku në sheshin e Vushtrrisë, në cilindo televizion dhe para të gjithë qytetarëve të debatojmë për aferat korruptuese të tij dhe sekserëve të tij, për programin zgjedhor dhe për secilën temë që është në interes të qytetarëve. Unë skam çka të fsheh e as nuk kam pare me pagu sondazhe e media, andaj ju pres në shesh për debat. Nuk ka me ik, e ftoj sonte Xhafen në orën 18:00, në sheshin e qytetit para të gjitha TV-ve të debatojmë. Mos u tut, qytetarët meritojnë sqarime”, ka shkruar Idrizi në Facebook.

Procedura më të shpejta për investitorë të huaj dhe promovim të bizneseve të Mitrovicës ka premtuar Bedri Hamza gjatë një vizite te një kompani private. Hamza ka thënë se do të krijojë kushte më të mira për bizneset.

“Komuna e Mitrovicës, duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetin e biznesit, do të krijojë kushte më të mira për investime dhe do t’i lehtësojë procedurat për investitorë. Ne do t’i promovojmë të gjitha kompanitë e Mitrovicës dhe do t’i mbështesim të gjitha projektet inovative, start-up bizneset, ekonominë digjitale, të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse”.