Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Bulliqi thotë se Podujeva s’ka kohë për të humbur

Fillimi i javës jo të gjithë kandidatët për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje i gjeti të angazhuar në fushatën zgjedhore. Gjashtë nga ta ishin pjesë e seancës plenare në Kuvend, për shkak se janë ende deputetët. Derisa të tjerët vazhduan fushatën duke u zotuar që qytetarët nëpër zona rurale do t’i kenë të gjitha kushtet e nevojshme

Punimet në seancën plenare të së hënës në Kuvendin e Kosovës kanë bërë që disa nga kandidatët për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje, të mos mund ta vazhdojnë fushatën zgjedhore.

Adnan Rrustemi, Valon Ramadani, Visar Korenica, Mimoza Kusari Lila, Salih Zyba, Alban Hyseni, janë deputetë të Kuvendit të Kosovës, e të cilët synojnë edhe ulësen e të parit të komunës.

Derisa disa nga kandidatët u morën edhe me zhvillimet e fundit për reciprocitet, të tjerët vazhduan duke kërkuar votën e qytetarëve për 17 tetor.

Kryetari aktual i Podujevës dhe kandidat për një mandat tjetër nga LVV-ja, Shpejtim Bulliqi ka vendosur që t’i falënderojë qytetarët për përkrahjen, pas një debati të zhvilluar një ditë më parë.

“Podujeva nuk ka kohë për të humbur vazhdojmë tutje. Faleminderit”, ka thënë ai.

Derisa kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, pas vizitës së fshatit Janqist të Malishevës, Alban Krasniqi, përmes një videoje ka treguar zotimet që u ka bërë banorëve të kësaj zone, që sipas tij, është lënë në harresë nga qeverisja aktuale komunale.

“Përmes presionit të KEDS-it sigurohemi që ky fshat sa më parë të ketë energji elektrike kualitative, presion në ndërrimin e rrjetit elektrik, uji përmes intervenimeve dhe investimeve qoftë me lidhje nga rrjeti i Gjakovës apo nga burimet, kyçja sa më parë e këtij fshati me ujësjellësin. Shtrimi i rrugëve të pashtruara të cilat janë bërë qëllimshëm nga pushteti aktual, të shtrohen rrugë që lidhin familje të tëra”, ka thënë ai.

Ndërkohë që kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, vazhdon të jetë ministër i Shëndetësisë, disa nga kandidatët për asamble janë prezantuar përmes një videoje, të postuar në faqen zyrtare të LVV-së dega Prishtinë. Zana Krasniqi, njëra nga kandidatet për asamblenë e kryeqytetit, ka thënë se Prishtina ka nevojë të jetë e pastër dhe pa ndërtime të shumta.

“Thelbi i jetës sonë, shëndeti dhe lumturia varen nga natyra, Prishtina e ka të domosdoshme të marrë kthesën drejt një qyteti me sa më shumë gjelbërim e të shëndetshëm, Prishtina ka nevojë me marrë frymë”, ka thënë ajo.

E Agim Veliu, kandidat nga LVV-ja për Mitrovicën e Jugut, pas një vizite me banorët e fshatit Vidimriq, kanë marrë përkrahje të fuqishme për të përsëritur rezultatin e 14 shkurtit me fitore madhështore e pa balotazh.

“Në Trepçë së bashku me nënkryetarin e komunës, Faruk Mujka dhe sekretarin e Qendrës së VV-së e kandidatin për asamblist, Kushtrim Zeneli, takuam banorët e fshatit, ku shpalosëm programin tonë qeverisës për mandatin e ardhshëm. Në dy takimet, sikurse edhe në takimet e tjera paraprake, morëm përkrahje të fuqishme për zgjedhjet e 17 tetorit, për ta ripërsëritur rezultatin e 14 shkurtit me fitore madhështore dhe pa balotazh”, ka shkruar ai në rrjetin social.