Një kompleks kulturor, ku do të funksionojnë biblioteka e qytetit, arkivi, muzeu, teatri dhe një atelie për artistët ka premtuar kandidati Driton Ajazi në Drenas. Ajazi po ashtu ka premtuar investime në vendluftimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rritjen e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në fshatra
Mbështetje për sektorin e kulturës ka premtuar Driton Ajazi nga iniciativa “Demokratët për Drenasin”. Ajazi, që synon postin e kryetarit në Komunën e Drenasit, ka premtuar kompleks kulturor në qytet, i cili do të ketë brenda tij bibliotekë, arkiva, muze e teatër.
“’Demokratët për Drenasin’, vëmendje të veçantë do t’u kushtojnë kulturës dhe ruajtjes së traditës sonë. Në bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës do të ndërtojmë kompleksin kulturor, ku do të funksionojnë biblioteka e qytetit, arkivi, muzeu, teatri dhe një atelie për artistët e Drenasit. Komuna do të ofrojë mbështetje të plotë në rikthimin e festivalit folklorik tradicional”, ka deklaruar Ajazi.
Po ashtu Ajazi ka premtuar investime në vendet ku ka luftuar UÇK-ja, si dhe në pikat turistike e kullat historike.
“Nuk do të mungojë përkujdesja dhe investimi në vendluftimet e UÇK-së. Pikat turistike, kullat historike dhe lokalitetet arkeologjike, siç janë: Kalaja e Vuçakut, Kulla e Shaban Polluzhës, Kalaja e Llapushnikut, Kalaja e Vërbocit do të jenë pjesë e zhvillimit të turizmit tonë”, ka thënë Ajazi.
Gjatë një takimi me organizata të invalidëve të luftës, Ajazi është zotuar se do të angazhohet që personat me shkallë më të ulët të invaliditetit, të kenë mundësi të punësimit.
“Me ardhjen e ‘Demokratëve për Drenasin’, Komuna do të jetë aleate kryesore në përmirësimin e kushteve dhe në ndihmë për shërimin nga plagët e luftës. Këto kategori kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre, që ne sot të jetojmë e të frymojmë lirshëm, prandaj tani është radha jonë që të tregojmë përkushtimin në kujdesin ndaj tyre. Ne do të angazhohemi shumë që të krijojmë mundësi që personat me shkallë më të ulët të invaliditetit të kenë mundësi për të punuar”, ka shkruar ai në Facebook.
Funksionalizim të ambulancave mjekësore në fshatra, furnizim me barna esenciale, e pajisje të reja mjekësore, ka premtuar Driton Ajazi, gjatë një vizite në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas, si dhe në QMF-në në fshatin Komoran të kësaj komune.
“Ambulancat mjekësore nëpër fshatra nuk do të mbahen nën dry, por kemi planin adekuat për funksionalizimin e tyre, duke krijuar kushtet që të ofrohen mundësi për dhënie të shërbimeve shëndetësore për të gjithë banorët, kudo që ata janë, pa pasur nevojë që të vijnë në Drenas”, ka thënë ai.
Ai ka premtuar edhe rritje të kapaciteteve për vaksinimin e qytetarëve atje.