Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Abdxhiku: Prishtinës i duhen projekte më të mëdha sesa rregullimi i një rrugice apo trotuari

Në Viti, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti, është zotuar për asfaltimin e të gjitha rrugicave në fshatra e qytet, ndërsa në Lipjan, Imri Ahmeti ka premtuar ndërtimin e një objekti modern të Shtëpisë së Kulturës. Por duke folur për Prishtinën, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk mund të flitet për rrugica e trotuare, por vetëm për projekte të mëdha e të jashtëzakonshme

Të mërkurën kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave kanë shpalosur programe e projekte që synojnë t’i realizojnë në rast se fitojnë në zgjedhjet e 17 tetorit. Ata janë zotuar për zhvillim ekonomik, mbështetje të bujqësisë dhe bizneseve, asfaltim të rrugicave e rregullim të trotuareve. Por premtimet për zgjidhjen e problemeve të tilla nuk u ngjajnë synimeve të LDK-së për kryeqytetin.

Në Prishtinë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa i ka dhënë mbështetje kandidatit Përparim Rama, në një takim me banorët e qytetit të vjetër, ka thënë se Prishtina nuk është komunë e zakonshme dhe se për të, LDK-ja ka e duhet të ketë ide më të mëdha sesa rregullimi i një rrugice apo trotuari.

“Prishtina meriton transformim rrënjësor. Por ne duhet të flasim shumë, të flasim ide të mëdha, investime të jashtëzakonshme. Nuk mund të kapërcejmë fushata e të flasim për një trotuar, për një rrugicë e për një llambë a punon apo s’punon, duhet të flasim për ide jashtëzakonisht të mëdha”, ka deklaruar Abdixhiku. Se programi i tij është në linjë me kërkesën e Abdixhikut e ka konfirmuar kandidati i LDK-së për Prishtinën. Ai ka thënë se ndonëse synojnë projekte gjigande, të njëjtat janë edhe të realizueshme. “Kemi edhe disa projekte edhe më të mëdha, edhe më të mira për këtë zonë. E kur them më të mëdha, të gjitha janë ekonomikisht e financiarisht të balancuara, nuk janë ëndrra të parealizueshme, por janë gjëra të kapshme, të bëshme që do ta transformojnë këtë pjesë të Prishtinës”, ka theksuar Rama.

Zhvillimi ekonomik e infrastrukturor, arsimi, bujqësia e ambienti janë prioritetet e kreut të Vitisë, Sokol Haliti, i cili po synon edhe mandatin e tretë në këto zgjedhje lokale. Mes tjerash, ai ka premtuar mbështetje edhe për rininë dhe bursa për nxënësit që nuk kanë mundësi financiare ta ndjekin shkollimin.

“Prioritetet kryesore sa u përket investimeve në infrastrukturë kanë të bëjnë me asfaltimin e të gjitha rrugëve dhe rrugicave nëpër fshatra dhe lagje. Vazhdimin e ndërtimit të trotuareve në të gjitha rrugët kryesore dhe atyre të fshatrave”, ka thënë Haliti.

E kandidati i LDK-së për Lipjanin, Imri Ahmeti, prioritet për mandatin e ardhshëm e ka vendosur ndërtimin e një objekti modern të Shtëpisë së Kulturës, meqë sipas tij, objekti aktual nuk përmbush kushtet dhe kriteret e nevojshme për aktivitetet kulturore dhe rinore. Për më tepër, ai ka thënë se ky objekt tashmë është i vjetruar dhe i karakterit administrativ.

“Ne kemi një projekt të ri modern të qendrës së re kulturore në Lipjan, e cila do të përmbushë kushtet dhe kriteret me hapësira të nevojshme për aktivitetet e rinisë në qytetin tonë”, ka potencuar Ahmeti.

Në Prizren, kandidati Anton Quni ka premtuar mbështetje për bizneset e vogla dhe të mesme, pasi, siç ka thënë ai, kanë rol të jashtëzakonshëm në uljen e numrit të të papunëve në Komunën e Prizrenit.

“Gjatë mandatit tim, këto biznese do ta kenë mbështetjen e pakusht me forma të ndryshme të lehtësimeve tatimore, subvencionimin e atyre që punësojnë praktikantë dhe rregullimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së tyre”, ka thënë Quni.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit, Hyri Dobrunaj, ka thënë se synimi i saj është zhvillimi sa më i madh i arsimit, shëndetësisë dhe turizmit. Ajo ka thënë se do të angazhohet për mundësi të barabarta për qytetarët e saj pa diskriminim.

“Një Komunë e zhvilluar dhe me mirëqenie të mirë mund të jetë atëherë kur të gjithë qytetarët e saj trajtohen pa dallim dhe me nder, dhe ky është synimi im. Migrimi, sidomos i të rinjve, është problem për shoqërinë tonë dhe qëllimi im është që nëpërmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore t’u krijojmë atyre mundësi që ëndrrat e tyre t’i realizojnë në vendlindje”, ka thënë ajo.

Për rininë, kulturën e sportin është zotuar se do të angazhohet maksimalisht edhe kandidati për Rahovecin, Burim Krasniqi.

“Këta sektorë do të trajtohen me prioritet të lartë e assesi sa për sy e faqe. Mungesa e angazhimit të organeve aktuale komunale ka lënë për të dëshiruar në drejtimet e lartcekura, teksa ne synojmë që t'i dërgojmë në një tjetër nivel”, ka deklaruar ai.