Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Ismajli prezanton projektin e parkut prej 8 hektarësh në Prishtinë

Rregullim të rrugëve, ndriçim publik e kanalizim ka premtuar kandidati i PDK-së Rrahim Tërnava për komunitetet e qytetit të Fushë-Kosovës. Ndërsa Shaqir Totaj është zotuar që do të punojë që në Prizren të jetë klima më e përshtatshme e të bërit biznes. Më konkret në premtime është deklaruar Uran Ismajli. Ai ka prezantuar projektin për ndërtimin e parkut qendror prej 8 hektarësh në Prishtinë

Përkrahje për bizneset, duke u premtuar atyre përmirësim të kushteve, ka premtuar Shaqir Totaj në Prizren. Gjatë një vizite në një biznes lokal, Totaj është zotuar se do të angazhohet që klima e të bërit biznes në Komunën e Prizrenit të jetë më e përshtatshme.

“Pushteti lokal, gjegjësisht unë si kryetar i ardhshëm i Komunës, gjithmonë do të jem i gatshëm që të bashkëpunoj me biznese edhe aty ku direkt nuk kemi kompetenca për të lobuar ku do që do të ketë nevojë, për të përmirësuar kushtet në të cilat bizneset tona punojnë dhe operojnë”, ka deklaruar Totaj.

Rregullimin e rrugës “28” në Komunën e Fushë-Kosovës, kanalizim e ndriçim publik ka premtuar Rrahim Tërnava për komunitetin që jeton në atë pjesë. Tërnava është zotuar se komunitetet në Fushë-Kosovë do të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Komunitetet e Komunës së Fushë-Kosovës do të trajtohen barabartë dhe si çdo qytetar tjetër i Fushë-Kosovës. Investimet për këtë komunitet do të nisin që nga përfaqësimi në Komisionin për Komunitetet. Do t'i mbështesim të rinjtë për të marrë pjesë në kurse të ndryshme, nga ato për gjuhët, profesionet, punësimi e deri tek aktivitetet sportive. Këta janë qytetarët tanë me të cilët do të punojmë jo njëherë në katër vjet, por çdo ditë, për ta implementuar programin tonë”, ka thënë Tërnava.
E, Ramiz Lladrovci në Drenas, ka vazhduar fushatën duke i përmendur punët e tij në sektorin e arsimit. Ai ka thënë se njëjtë si mandatin e kaluar, edhe në të riun do ta përkrah rininë e arsimin në Drenas.

“Janë funksionalizuar laboratorë të shkencave të natyrës, pajisja me laptop, projektorë, tabela të mençura, si dhe laboratorë virtualë për të gjitha shkollat. Pajisja me inventar, banka, karrige, inventar për zyrë, 5 mijë dollapë personalë për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”, ka thënë Lladrovci.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar projektin për ndërtimin e parkut qendror prej 8 hektarësh. Ai ka premtuar se ky projekt do të finalizohet deri në tetor të vitit 2024 dhe se do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në qytet.
“Projekti im më i madh e më ambicioz për Prishtinën e gjelbër është projekti për ta ndërtuar parkun qendror të Prishtinës apo mushkëritë e reja të Prishtinës. Plani im është që deri në tetor të 2024-tës, Prishtina të ketë parkun qendror 8-hektarësh, në qendër të Prishtinës. Lokacioni i parkut qendror të Prishtinës do të jetë midis qytetit, përgjatë stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe Pallatit të Rinisë”, ka deklaruar Ismaili.
Po ashtu, Ismaili ka thënë se do të bëjë zhvendosjen e ndërtesave dhe parkingjeve të administratës publike. Ai premtoi se do të rigjenerojnë hapësirat e tjera publike, për transformimin e tyre në hapësira të mëdha e të gjelbra të qytetit.
“Kemi me e ruajtë vetëm një ndërtesë, ish-ndërtesën e burgut dhe kemi me e kthyer në muze, në përkujtim të një periudhe të dhimbshme të Prishtinës sonë. Parkingu i madh prapa Pallatit të Rinisë do të transformohet në park, me hapësira të gjelbra, shtigje për ecje, vrapim e amfiteatër publik. Parku Qendror do të ofrojë shtigje të reja të gjelbra, për t'i dhënë më shumë oksigjen qytetit e qytetarëve ajër të pastër e hapësirë për çlodhje gjatë ditës", ka thënë ai.

Derisa Bekim Azizi, kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, nën shoqërinë e nënkryetares së partisë, Vlora Çitaku, dhe deputetes Blerta Deliu ka premtuar mbështetje për gratë.