Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Ismaili premton transport publik falas në Prishtinë

Transporti falas në Prishtinë, sipas Uran Ismailit do të mbulohet nga menaxhimi i parkingjeve, që brenda një viti mund të gjenerojë afro 12 milionë euro të hyra. Ndërsa kandidati për Shtime, dhe kryetari aktual i kësaj komune, Naim Ismajli, ka prezantuar programin me shtylla kryesore, e që kryesisht kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, arsimit e bujqësisë

Transport publik falas në Prishtinë ka premtuar kandidati i PDK-së për këtë komunë Uran Ismaili. Ai ka thënë se kostoja e transportit publik falas në Prishtinë do të kushtojë rreth 15 milionë euro në vit, e që, sipas tij, të hyrat që do të gjenerohen nga menaxhimi i parkingjeve e që do të jenë rreth 12 milionë euro, afërsisht do t’i mbulojnë shpenzimet e transportit falas.

“Sot në qytet janë afro 90 mijë vetura të qytetarëve rezidentë të Prishtinës. Këtij numri i shtohen edhe 130 mijë vetura që hyjnë çdo ditë në Prishtinë nga drejtime të ndryshme. Të gjitha këto vetura kërkojnë hapësirë për parking, kërkojnë korsi të reja për vozitje dhe në proces ngufasin trafikun dhe e ndotin ajrin. Ky fluks i madh i veturave, përveç të tjerash, është edhe rritje e rrezikut të sigurisë në trafik”, ka deklaruar Uran Ismaili.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Shtimes, Naim Ismajli, po e kërkon edhe një mandat tjetër në krye të komunës. Të premten, Ismaili përmes një video-adresimi për qytetarët e Shtimes, ka prezantuar programin e tij qeverisës për mandatin e ardhshëm. Programi, sipas tij, përmban gjashtë shtylla kryesore, e që kryesisht kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, arsimit e bujqësisë.

“Do të ndërtojmë objekte të QKMF-ve, në Shtime, do të financojmë listën e barnave të rëndësishme dhe të nevojshme për pacientë të komunës sonë e kryesisht për shërbimet e urgjencës, do të rrisim numrin e personelit shëndetësor e në veçanti mjekëve specialistë të fushave ku sipas ligjit obligohet komuna. Do të ofrojmë mbështetje me shërbime shëndetësore shtëpiake për personat të cilët janë në nevojë, në stadet e fundit të jetës e gjithashtu edhe për personat të cilët nuk kanë përkujdes familjar”, ka thënë Ismaili.
Ismaili, po ashtu, ka premtuar grante për të rinjtë e gratë, si dhe mbështetje për sektorin e bujqësisë.

Në një takim me Organizatën e Veteranëve të Luftës, Shaqir Totaj në Prizren ka premtuar mbështetje për ta. Totaj ka thënë se është obligim ta përkrahin këtë kategori.

“Dëshmorët janë udhërrëfyesit tanë, ndërsa veteranët, historia e gjallë e luftës për liri. Prandaj, si kryetar i ardhshëm do të jem gjithnjë pranë kategorive të dala nga lufta. Është detyrë e obligim i yni t'i përkujtojmë e nderojmë dëshmorët dhe t'i përkrahim veteranët e invalidët e luftës”, ka shkruar Totaj në “Facebook”.

E Bedri Hamza, që synon postin e të parit të Mitrovicës, ka premtuar kushte më të favorshme për investime të brendshme dhe të huaja, duke i lehtësuar procedurat për investitorë.

“Në qeverisjen time do të mbështetet çdo ide inovative dhe kreative, përfshirë edhe start-up bizneset. Ne do të krijojmë kushte shumë më të favorshme për investime të brendshme dhe të huaja, duke i lehtësuar procedurat për investitorë. Komuna e Mitrovicës do të jetë promotore e vazhdueshme e kompanive prodhuese dhe shërbyese e Mitrovicës”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Kurse, përmes një video-incizimi në “Facebook”, Rrahim Tërnava kandidat i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, e ka paraqitur projektin e ndërtimit të Qendrës së Kulturës dhe Artit.

Derisa Muhamed Kallaba në Kamenicë, është zotuar për mbështetje të prodhimeve vendore.