Vështirësitë në mësimnxënie nuk janë të lidhura me dallimet në pjesë të veçanta të trurit, por në mënyrën se si janë të lidhura fijet e trurit, ka treguar studimi më i fundit.
Bazuar në të dhënat e Departamentit për Arsim në Britaninë e Madhe, 14.9 për qind të nxënësve në Angli – afro 1.3 milionë fëmijë – kanë pasur nevoja të veçanta arsimimi gjatë janarit të vitit 2019, teksa 271.200 sosh kanë pasur vështirësi që kërkojnë përkrahje shtesë përtej mësimit tipik për fëmijët me nevoja të veçanta.
Disleksia, çrregullimi i hiperaktivitetit që shkakton mungesë të përqendrimit (ADHD), autizmi dhe dispraksia janë disa prej gjendjeve që lidhen me vështirësinë e nxënies së dijes.
Tani ekspertët thonë se këto probleme të ndryshme të mësimnxënies nuk janë specifike për diagnoza të caktuara, por as nuk janë të lidhura me rajone të veçanta të trurit - siç ishte menduar më herët. Në vend të kësaj, ekipi i shkencëtarëve nga Universiteti i Cambridges ka thënë se problemet në mësimnxënie duket se kanë të bëjnë me dallimet në mënyrën e organizimit të lidhjeve në tru, raporton “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Roma Siugzdaite, bashkautore e këtij studimi, ka thënë se ka ardhur koha që të rishqyrtohet mënyra se si po kategorizohen fëmijët me vështirësitë në mësim.
“E dimë se fëmijët me diagnoza të njëjta mund të kenë profile shumë të ndryshme të këtyre problemeve dhe të dhënat tona sugjerojnë se kjo ndodh për shkak të kategorizimeve që i përdorim kur nuk i qartësojnë arsyet se pse fëmijët janë duke pasur vështirësi të tilla – me fjalë të tjera, diagnozat nuk i trajtojnë dallimet e fshehura neutrale”, ka thënë ajo. “Kategorizimi i vështirësive është i dobishëm për shkaqe praktike dhe mund të jenë të dobishme për prindërit, por sistemi aktual është shumë i thjeshtë”.
Duke shkruar në revistën shkencore “Current Biology”, ekipi raporton se si kanë arritur deri te zbulimi i tyre, duke e përdorur një lloj inteligjence artificiale që quhet makinë mësimi, e cila i evidenton modelet e ndryshme përbrenda të dhënave ekzistuese.
Ekipi ka mbledhur të dhëna prej 476 fëmijëve, 337 prej të cilëve kanë pasur vështirësi në mësimnxënie në fushat si vokabulari, aftësia e të dëgjuarit dhe e zgjidhjes së problemeve.
Këto të dhëna i janë ofruar sistemit të makinës së mësimit, i cili gjeneroi më pas gjashtë kategori kryesore që i reflektojnë aftësitë njohëse të fëmijëve. Ekipi ka konstatuar se vetëm 31 për qind e fëmijëve në këtë kategori që reflektojnë performancën më të mirë ishin ata që shfaqnin shenja të vështirësive në nxënie të dijes, teksa 97 për qind e fëmijëve në këtë kategori që kanë reflektuar performancën më të dobët kishin vështirësi në kapjen e dijes.
Kërkimet e mëtutjeshme kanë treguar se sistemi i radhiti me saktësi fëmijët në një gamë të gjerë kategorish, varësisht prej aftësive të tyre njohëse. Sidoqoftë, ekipi ka zbuluar se nuk ekziston ndonjë lidhje midis këtyre kategorive dhe diagnozave si disleksia, autizmi apo ADHD-ja.
“Caktimi i diagnozave të posaçme nuk ju tregon se çfarë profili njohës kanë fëmijët”, ka thënë Duncan Astle, autori tjetër i këtij studimi. “Derisa diagnostikimi mund të jetë i rëndësishëm, intervenimet duhet të shkojë përtej kategorizimit”, ka shtuar ai, duke shtuar se në fëmijët me diagnoza të ndryshme mund të përfitojnë prej intervenimeve të ngjashme derisa ata me diagnoza të njëjta mund të kenë nevojë për forma të tjera të mbështetjes.
Studiuesit më pas i shkëputën informatat nga skanimet e trurit të fëmijëve dhe i bartën ato te sistemi i makinës së mësimit. Përmes kësaj metode u gjeneruan pesëmbëdhjetë kategori bazike në strukturën e rajoneve të trurit.
Megjithatë, ekipi ka zbuluar se parashikimi i aftësisë së njohës te një fëmijë ishte për afro 4 për qind më e mirë, kur bazohet në skanimet e trurit.
“Ekzistojnë materiale të tëra... të njerëzve që thonë: ‘Kjo strukturë e trurit është e lidhur me këtë vështirësi të njohjes te fëmijët që kanë telashe, dhe kjo strukturë e trurit lidhet me ato vështirësi të njohjes’”, ka thënë Astle. Me gjithë këtë, ka shtuar ai, studimi i ri sugjeron se nuk ndodh kështu.
Ekipi më pas u përqendrua në një tjetër tipar të trurit: mënyrën e lidhjes së fijeve. Me anë të përdorimit të të dhënave nga 205 fëmijë, ekipi ka zbuluar se të gjithë treguan efikasitet të ngjashëm të komunikimit përgjatë trurit, teksa disa pjesë të caktuara, të njohura si nyja, kanë treguar më shumë lidhje.
Sidoqoftë, fëmijët me probleme në mësimnxënie kanë shfaqur nivele të ndryshme të lidhjeve në këto nyja, krahasuar me ata që nuk kanë vështirësi të tilla. Për të hulumtuar nëse kjo ishte e dhënë përbën rëndësi të konsiderueshme, ekipi iu kthye sërish kompjuterit të kategorizimit, duke zbuluar kësisoj se sa më të mira të jenë aftësitë e njohjes te fëmijëve, aq më e madhe është rënia e efikasitetit të trurit nëse nyjat shpërndahen.
“‘Nyjshmëria’ e trurit të fëmijëve ishte një parashikues i fuqishëm i profileve të tyre të njohjes”, ka thënë Siugzdaite. “Fëmijët, truri i të cilëve ‘përdori’ nyjat kishin aftësi më të mira të njohjes. Këtë gjë e vëzhguam në rastin e fëmijëve, të cilët kanë shfaqur telashe në shkollë, ata nuk do bazohen së tepërmi në këto nyja”.
Siugzdaite ka thënë se studimi ka ngritur akoma më shumë pikëpyetje, përfshirë atë se si mund të ndikojnë faktorët biologjikë apo mjedisorë në zhvillimin e nyjave të këtilla dhe nëse disa prej nyjave ishin më të rëndësishme për aftësi të caktuara të njohjes.
Megjithatë, studimi ka edhe kufizimet e veta, përfshirë atë se ekipi nuk ka hulumtuar edhe çështje të tjera, siç janë sjelljet sociale, të cilat mund të jenë të lidhura me diagnoza të ndryshme dhe struktura të caktuara të trurit.
Tomoki Arichi, mjek nga Qendra për Zhvillimin e Trurit në “King’s College” të Londrës, i cili nuk ka qenë i përfshirë në këtë hulumtim, ka thënë se studimi u është shtuar dëshmive përherë më të mëdha që tregojnë se vështirësitë në nxënien e dijes kuptohen më mirë me anë të vrojtimit të aftësitë te të cilat njerëzit kanë telashe e jo përmes përqendrimit në një diagnozë të caktuar.
Arichi ka thënë se hulumtimi ka ofruar prova të dobishme për të kuptuar se si lidhjet e fijeve në tru janë organizuar për ta mundësuar zbutjen e vështirësive në mësimnxënie, por ai ka shtuar: “Të kuptuarit se si zhvillohet krejt kjo në të vërtetë dhe pastaj si shkakton vështirësi në mësime ende është çështje skajshmërisht e ndërlikuar. Është ende e mundur se ajo që ata e shohin është më shumë një pasojë se shkas, apo është vetëm një e dhënë e vogël e një efekti që ndryshon gjatë fëmijërisë”.