Lifestyle

Varësia nga alkooli luftohet me birrë të ngrohtë

Një deputete lokale meksikane kërkon të votohet një ligj që ndalon në Meksikë shitjen e birrës së ftohtë për të ulur konsumin e alkoolit, një propozim që ka ngjallur reagime të shumta, shpesh tallëse në rrjetet sociale.

“Nëse birra nuk është e ftohtë, atëherë detyrohesh ta çosh në shtëpi, ta vendosësh në frigorifer dhe më pas ta konsumosh”, sqaron Maria de Lourdes Paz e partisë “Morena” (e majta) e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador.

Për të bërë këtë projektligj, kjo e zgjedhur lokale, e cila është pjesë e Kongresit në Meksiko Siti, u mbështet mbi një anketim që lidhet me varësitë në Meksikë.

Sipas këtij studimi, kryeqyteti ka përqindjen më të lartë të konsumit të alkoolit tek të rinjtë.

Pjesa më e madhe e këtyre të rinjve, konsumatorë të alkoolit, furnizohen kur dalin me miqtë, tek dyqanet e vogla të megalopolit, të cilët tregtojnë pije të ftohta.

Propozimi i ligjit parashikon t’u imponojë këtyre tregtarëve shitjen e pijeve, që kanë një përqindje alkooli rreth shtatë, në temperaturë ambienti, pra jo në kushte frigoriferike, domethënë të ngrohta, me shpresën se kjo do të ulë dëshirën për të pirë./atsh