Lifestyle

Ushqimet e shumëpërpunuara mund të lidhen me vdekjet e hershme

ushqimet e shumeperpunuara

Ushqimet e shumëpërpunuara

Foto: Associated Press

Një studim i ri ndërkombëtar ka sugjeruar se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të shumëpërpunuara mund të rrisë rrezikun për vdekje të hershme. Studimi u zhvillua në tetë shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ka raportuar BBC.

Çfarë janë ushqimet e shumëpërpunuara?

Ushqimet e shumëpërpunua janë produkte industriale që përmbajnë zakonisht më shumë se pesë përbërës, shumë prej të cilëve nuk gjenden në gatimet shtëpiake, si aditivë, ëmbëltues artificialë, ngjyrues apo kimikate që përmirësojnë teksturën apo pamjen.

Disa prej këtyre ushqimeve përfshijnë: biskota, kekë dhe ëmbëlsira të gatshme, ushqime të skuqura si patatinat, pijet e gazuara, drithërat e përpunuara për mëngjes që përmbajnë sheqer të shtuar, chicken nugets, suxhukë dhe salsiçe, bukë dhe margarinë të prodhuara në fabrikë si dhe jogurte me fruta apo lëngje të ëmbëlsuara.

Çfarë tregon studimi?

Sipas Revistës Amerikane të Mjekësisë Parandaluese, hulumtuesit kanë analizuar të dhëna nga dieta dhe vdekshmëria në vende të ndryshme: Australia, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Meksika, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.

Ata kanë vlerësuar se në Mbretëri të Bashkuar dhe SHBA, ku ushqimet e shumëpërpunuara përbëjnë më shumë se gjysmën e kalorive ditore, rreth 14% e vdekjeve të hershme mund të lidhen me këto ushqime. Në vende si Brazili apo Kolumbia, ku konsumimi është më i ulët (më pak se 20% e kalorive), ky numër bie në 4%.

Në SHBA, në vitin 2018, u llogaritën rreth 124,000 vdekje të hershme të lidhura me ushqimet e shumë përpunuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, gati 18,000.

A është vërtet faji i përpunimit?

Ekspertët theksojnë se ky lloj studimi nuk mund të vërtetojë shkaktarët direkt. Dieta, aktiviteti fizik, stili i jetesës dhe faktorët ekonomikë ndikojnë gjithashtu në shëndet.

Doktori Eduardo Nilson, autor kryesor i studimit, ka theksuar se ndikimi negativ i ushqimeve të shumëpërpunua mund të vijë nga mënyra se si përpunohen industrialisht, përfshirë aditivët si aromat artificiale, ëmbëltuesit dhe emulgatorët.

Megjithatë, disa studiues janë skeptikë. Profesori Kevin McConway nga Open University ka thënë se modeli matematikor i përdorur mbështetet në shumë supozime dhe nuk mund të provojë drejtpërdrejt se vetëm ushqimet e shumëpërpunuara janë përgjegjëse për këto efekte.

Doktoresha Nerys Astbury nga Universiteti i Oksfordit ka shtuar se ka kohë që dihet se dieta të pasura me yndyrë, sheqer dhe kalori rrisin rrezikun për sëmundje kronike. Dhe shumica e ushqimeve të shumëpërpunuara janë pikërisht të tilla.

Doktori Stephen Burgess nga Universiteti i Kembrixhit ka thënë se ndonëse nuk mund të vërtetohet një shkak i drejtpërdrejtë, kur shumë studime në kultura të ndryshme arrijnë në të njëjtat përfundime, nuk mund të injorohet më ndikimi i këtyre ushqimeve.

Çfarë thotë industria ushqimore?

Federata e Ushqimeve dhe Pijeve në Britani ka reaguar duke thënë se termi “shumëpërpunuar” stigmatizon produkte të zakonshme si jogurti, buka apo salcat e gatshme, të cilat mund të jenë pjesë e një diete të balancuar. Ata kanë theksuar se të gjithë aditivët janë të kontrolluar dhe të sigurt nga Agjencia e Standardeve Ushqimore.