Lifestyle

Tuberkulozi rikthehet në SHBA, çfarë duhet ditur?

Tuberkulozi

Tuberkulozi

Foto: Associated Press

Ekspertët kanë paralajmëruar se sëmundja e e tuberkulozit (TB) mbetet problem serioz i shëndetit publik në mbarë botën.

Nga muaji janar i vitit 2024 e deri në muajin mars të këtij viti në Kansas të SHBA-së, është raportuar se me tuberkuloz janë infektuar 147 persona.

Ndërkohë që 67 prej tyre kanë shfaqur simptoma, pjesa tjetër, 80 të infektuar, kanë tubekuloz latent, që do të thotë se e bartin sëmundjen por nuk zhvillojnë simptoma, ka raportuar Science Alert.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tuberkulozi mbetet shkaku kryesor infektiv i vdekjes në botë, duke u tejkaluar vetëm nga COVID-19 gjatë tre vjetëve të para të pandemisë.

Karen Dobos, profesoreshë e mikrobiologjisë, dhe Marcela Henao-Tamayo, profesoreshë e mikrobiologjisë dhe Imunologjisë në Universitetin e Colorados, kanë thënë se njerëizt duhet të dinë për rreziqet nga tuberkulozi. 

“Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se tuberkulozi mbetet problem serioz i shëndetit publik në mbarë botën. Edukimi mbi mënyrat e përhapjes, trajtimit dhe domosdoshmërisë së masave aktive për çrrënjosjen e tuberkulozit është mbrojtja më e mirë”, ka thënë Henaou-Tamayo.

Dobos ka thënë se një nga arsyet kryesore pse edukimi dhe ndërgjegjësimi për tuberkuloz janë kaq të rëndësishme është fakti se një person me tuberkuloz latent mund të bartë bakterin për vite të tëra pa e ditur.

“Për shkak të mungesës së simptomave, këta individë nuk kërkojnë kujdes mjekësor dhe nuk diagnostikohen ose trajtohen, përveç në rastet kur identifikohen si pjesë e një shpërthimi, siç ndodhi me më shumë se gjysmën e pacientëve në Kansas”, ka thënë doktoresha.

Historia e Tuberkulozit

Bakteri Mycobacterium tuberculosis është shkaktari i tuberkulozit te njerëzit dhe kjo sëmundje ka ekzistuar për mijëra vjet.

Hulumtimet tregojnë se tuberkulozi ka prekur njerëzit rreth 9,000 vjet më parë, me prova të gjetura në mbetjet arkeologjike në lindje të Mesdheut. Mjeku i lashtë Hipokrati e përshkroi sëmundjen në vitin 410-400 p.e.s, duke e quajtur “phthisis”, një term që do të thotë “shkatërrim progresiv”.

Në histori, tuberkulozi ka pasur disa emërtime si:

“Konsumi”, për shkak të mënyrës se si pacientët humbnin peshën dhe forcën.

“Murtaja e bardhë”, sepse të sëmurët bëheshin të zbehtë.

“E keqja e mbretit”, një formë e tuberkulozit që shkaktonte ënjtje dhe shenja në qafë, për të cilën besohej se mund të shërohej me prekjen e një mbreti.

“Grabitësi i rinisë”, pasi shpesh prekte njerëz të moshës 15-30 vjeç.

Në vitin 1865, mjeku francez Jean Antoine Villemin pati vërtetuar se tuberkulozi mund të përhapej nga kafshët te njerëzit. Më pas, në vitin 1882, mjeku gjerman Robert Koch ka zbuluar bakterin shkaktar të tuberkulozit, duke e shpallur këtë më 24 mars 1882, datë që sot njihet si Dita Botërore e Tuberkulozit.

Si përhapet tuberkulozi?

Tuberkulozi përhapet përmes pikave të vogla infektive në ajër, që lëshohen kur një person i infektuar teshtinë, kollitet, këndon apo edhe gjatë frymëmarrjes së zakonshme.

Një formë e tuberkulozit mund të përhapet edhe përmes produkteve të qumështit të papasterizuar.

Origjina e shpërthimit në Kansas mbetet e panjohur, por ka prekur veçanërisht komunitetet me të ardhura të ulëta. Dy persona kanë humbur jetën nga kjo sëmundje.

Sipas OBSH-së, një pacient i patrajtuar me tuberkuloz mund të infektojë 10 deri në 15 persona të tjerë.

A ka lidhje rikthimi i tuberkulozit me pandeminë e COVID-19?

Pandemia e COVID-19 ka luajtur rol të madh në rritjen e rasteve të tuberkulozit. Midis viteve 2020 dhe 2023, rastet me tuberkuloz në botë u rritën me 4.6%, duke përmbysur dekada progresi. Vetëm në SHBA, rastet u rritën me mbi 15% nga 2022 në 2023.

Gjatë pandemisë, shumë njerëz nuk kishin qasje në kujdesin shëndetësor, gjë që vonoi diagnostikimin dhe trajtimin. Rreth 700,000 vdekje të tjera nga tuberkulozi janë regjistruar për shkak të vonesave të lidhura me COVID-19.

Përveç qasjes së kufizuar në kujdesin shëndetësor, edhe mungesat e ilaçeve kanë luajtur rol. SHBA-ja përjetoi mungesa të ilaçeve kryesore të tuberkulozit midis viteve 2021 dhe 2023.

Cilat janë trajtimet kryesore?

Trajtimi i tuberkulozit kërkon kombinimin e disa ilaçeve për të shmangur rezistencën bakteriale.

Para viteve 1930, trajtimet përfshinin përdorimin e vajit të mëlçisë së merlucit, nxjerrjen e gjakut dhe izolimin në sanatoriume në rajone malore si Adirondacks dhe Rockies, ku besohej se ajri i pastër ndihmonte në shërim.

Antibiotiku i parë kundër tuberkulozit, streptomicina, u zhvillua në vitet 1940, por bakteret shpejt krijuan rezistencë. Në vitet 1950, u zhvillua isoniazidi, por edhe ai u bë më pak efektiv me kalimin e kohës.

Sot, tuberkulozi trajtohet me kombinime prej dy deri në katër ilaçeve, dhe terapia për tuberkuloz aktiv zgjat të paktën 6 muaj. Në rastet e tuberkulozit rezistent ndaj shumë ilaçeve, trajtimi mund të zgjasë më shumë se 9 muaj.

Çfarë duhet ditur?

Tuberkulozi mbetet kërcënim serioz për shëndetin publik dhe informimi është mbrojtja më e mirë.

Tuberkulozi latent mund të zgjasë për vite pa simptoma, por mund të shndërrohet në një infeksion aktiv në çdo moment.

Vaksinimi dhe trajtimi i hershëm janë thelbësorë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Testimi dhe kujdesi shëndetësor i rregullt janë mënyrat më të mira për të parandaluar shpërthimet e ardhshme të tuberkulozit.

Në rastin e shpërthimit në Kansas, më shumë se gjysma e të diagnostikuarve nuk kishin asnjë simptomë, gjë që tregon rëndësinë e kontrollit dhe identifikimit të hershëm të rasteve të reja.