Lifestyle

Tri ditë nëpër male për ta “qëndisur” flamurin kuqezi mbi borën e Martaneshit të Krastës

Artisti Duli Kasmi ka bërë një vepër arti mbi borën e zonës se Martasheshit afër Krastës.

Nuk dihet me siguri, por ky projekt mendohet të jetë flamuri më i madh që u punua ndonjëherë në borë, në të gjithë botën.

Flamuri që Kasmi bëri është 55 metra i gjerë dhe 47 metra i gjatë.

“Për ty flamur! Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je. Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.
Gëzuar Festat e Nëntorit Shqipëri! ?”, ka shkruar Kasmi në Instagram me publikimin e videos së punimit duke falënderuar bashkëpunëtorët.

Kasmi i ka treguar KOHËS se ideja për ta “qëndisur” flamurin, duke përdorur borën si pëlhurë ishte e tij dhe e një kolegu.

“Ideja ishte e imja dhe e kolegut tim Denis Bala. Dhe për realizim na duhej një piktor, artist, si Arjan Sufa”, ka thënë Kasmi.

Ai ka deklaruar se i janë dashur disa ditë për përgatitjen e materialeve e tri ditë nëpër male me borë për të gjetur vendin e përshtatshëm, duke shtuar se kanë pasur mjaftë vështirësi për shkak të motit të keq e të ftohtit.

Për çdo produkt që është përdorur, Kasmi ka thënë se është ekologjik dhe i padëmshëm për mjedisin kafshët.

“Në kohë shumë të shkurtër, ngjyra shpërbëhet duke mos lënë as gjurmë as efekte në ambient”, ka thënë ai.

Për këto produkte ai ka thënë se nuk e ka pasur të vështirësi t’i gjejë për shkak se ka kontaktuar specialist të fushës që menjëherë ia lehtësuan punën.