Shumë nga veshmbathjet që kanë qenë në trend këtë vit, pritet të jenë në trend edhe në vitin që po vjen.
Pantallonat me bel të gjatë, fundet, këpucët e rrafshëta e ato me taka, dantella, sedefet, trëndafilat, ngjyra e kuqe, rozë, e bardha e lehtë, këmishët e bardha, jakat “polo” e sakot me prerje të rregullt, janë trendët që lehtësisht mund të barten edhe në vitin e ri.
Kjo nuk do të krijojë shpenzime shtesë për ata që duan ta ndjekin modën.
Pantallonat
Si trendi më i madh i vitit 2024 po konsiderohen pantallonat e shkurta, por edhe më të shkurta se zakonisht e që po quhen pantallona “mikro” të shkurtër.
Mikro-pantallonat hapën pasarelën e brendit “Gucci” në qytetin italian të modës Milano. Ato u përdorën nga shumë gjigandë të tjerë të modës, si Jacquemus, Chanel, Alexander McQueen e Isabel Marant.

Trend tjetër pritet të jenë pantallonat me bel të lartë, që kanë qenë në trend edhe në vitin që po e lëmë pas. Ata tashmë janë prezentë në shumicën e gardërobave.

Brendet e njohura botërore këtë trend e paraqitën si një lloj vazhdimësie. Ndryshimi që shihet sivjet është se brendet patën laramani të gjatësive e gjerësive të pantallonave.
Në trend janë pantallonat e gjëra me gjatësi të ndryshme. Jashtë trendit qëndrojnë ato shumë të ngushta që bota e modës iu referohet si “skinny”.
Pantallonat me bel të lartë e të gjëra u panë nëpër pasarelat e gjigandëve si Rick Owens, Lemaire, Hermes, Louis Vuitton, Saint Laurent, etj.
Fundet
Trend tjetër duket se do të jenë fundet. Fundet e gjata, të shkurtra, transparente, me shkëlqim, me sedefe, me pala, e çdo lloj tjetër fundi, u bënë trendi kryesor i pasarelave të gjigandëve të modës kur shfaqën koleksionet e pranverës së vitit të ri.
Fundet shumë gra i kanë pasur nëpër dollapë nga vitet e mëparshme, gjë që e bën të lehtë e pa shpenzime mundësinë për t’i pasur në gardërobë.
Fundet janë pjesë e koleksioneve të gjigandëve si Carolina Herrera, Louis Vuitton, Givenchy, Carven, etj.
Në trend pritet të jenë edhe këpucët e rrafshëta dhe ato me rrip përpara që njihen si “Mary Janes”, si dhe këpucët klasike me taka, që mund të kombinohen me llojet e fundeve që janë në trend.

Lule në të gjitha dimensionet
Trendi tjetër i vitit të ri pritet të jenë trëndafilat.
Mbretëresha e luleve u pa kudo nëpër pasarelat që kryesuan botën e modës. Ato u shfaqën si printe, dantella e manipulime me materiale që u punuan nëpër prapaskenat e koleksioneve të brendeve më të mëdha nga mjeshtërit artizanalë.

Prezenca e trëndafilit u pa tek brende si Alexander McQueen, Rei Kawakubo, Richard Quinn, Balmain, Burberry, Marni, Rodarte e Thebe Magugu.

Punimet e dorës
Edhe punimet e dorës pritet të jenë në trend në vitin që po vjen. Ato treguan aftësinë e artizanëve të cilët vunë në pah dukje të reja nëpër pasarela duke filluar nga brendi “Bottega Venneta” ku u panë tufa të mëdha të aplikuara mbi një punim dore të një fustani ngjyrë krem.
Punime të tjera të ndryshme që shfaqën punën e ndërlikuar me dorë mbi pëlhura të llojllojshme u panë edhe tek brendet e tjera si Wales Bonenr, Tory Burch, Valentino, Maison Margiela, Mugler, Matty Bovan, e Versace.
Trendi tjetër që do ta karakterizojë vitin e ri quhet “Zhurma e bardhë”. Ky emërtim po përdoret për fustanet e bardhë të rinj “disi të zhurmshëm” e të pazakonshëm. Janë fustane me materiale të ndryshme që shfaqen me manipulime mjeshtërore nga artizanët e brendeve të mëdha.
“Valentino” është brendi që e “ndryshoi” përdorimin e zakonshëm të dantellës nëpër fustane. Ky brend e përshtati dantellën në forma shumë moderne dhe të përshtatshme për t’u veshur. Të njëjtën praktikë e bënë edhe brende të tjera si Giambattista Valli, Michael Kors, Chloe e Dior.

Trendët e veshjeve që u rikthyen nga vitet ’20 e ‘90
Viti që po lëmë pas ka sjellë trendët nga viti 1920, ku pëlhurat metalike karakterizonin festat e fundvitit. Sedefet, materiali me shkëlqim i quajtur “lame” dhe pëlhurat metalike duket se asnjëherë nuk janë larguar nga trendët e modës, por në vitin e ri pritet të vijnë në mënyrë më të avancuar.
Gjatë “Javës së modës” në Paris, kur u shfaqën koleksionet e sezonit pranverë/verë 2024, pasarelat i shndritën pëlhurat metalike që u krijuan në silueta të reja nga brendet si Schiaparelli, Roksanda, Ralph Lauren, Versace, Rabanne, Prabal Gurung, Nina Ricci e Miu Miu.
Trend i vjetër në mënyrë të re janë “Flappers”, stil i veshjes së grave që daton që nga vitet 1920.

Vitet ‘20 shënuan një revolucion në modë. Atëherë gratë filluan të shfaqeshin me rroba më praktike, funde më të shkurtër, forma të ngushta që përqafonin figurat trupore, dëgjonin muzikë jazz, frekuentonin festa të ndryshme dhe konsumonin duhan.
Këto elemente e karakterizuan dukjen e grave në atë kohë, të cilat në formë proteste e adaptuan trendin dhe u kritikuan se po dukeshin si “flappers”, fjalë që përshkruante gratë që atëherë i cilësonin si të përdala. Por kjo gjë nuk është se u la atyre fort përshtypje pasi që ky “revolucion” mori shumë vëmendje dhe e çoi lart figurën e gruas.

Fustanet e asaj kohe karakterizoheshin nga pëlhura delikate mbi të cilat qëndiseshin gurë, fije e pupla.
Këto elemente me të cilat karakterizoheshin vitet ‘20 edhe tani u panë nëpër pasarelat e gjigandëve të modës dhe po konsiderohen si trend i fuqishëm për vitin e ri.
“Flappers” moderne u shfaqën në pasarelat e Pradas, Rabannes, The Atticos, Lanvinit, Jil Sandersit, Guccit, Erdemit, etj.
Sikur “flappers”, edhe trendët minimalist, që nënkuptojnë stil të thjeshtë të veshjes, si për shembull rroba njëngjyrëshe, pa detaje, pa printe, pa qëndisje, pa manipulim të materialeve e të tjera.

Stili i veshjes së publicistes së njohur të brendit Calvin Klein, Caroline Bessette Kennedy që ka qenë e popullarizuar në vitet ’90-të, u pa sërish nëpër pasarelat moderne duke shfaqur formë të re të kreativitetit te brendet si Tove, Tod’s, Tibi, Theory, Self Portrait, Proenza Schouler, Roksanda, Michael Kors, Fendi, Max Mara, etj.
(Pas martesës së saj me John F. Kennedy Jr., marrëdhënia e Bessette-Kennedy me burrin e saj dhe sensin e saj të modës u bë subjekt i mediave, duke bërë krahasime me vjehrrën e saj Jacqueline Kennedy Onassis.
Çifti, si dhe motra më e madhe e Bessette-Kennedyt, Laura, vdiqën në një aksident ajror në në SHBA më 16 korrik 1999).
