Terapia me rrezatim është aktualisht shansi ynë më i mirë në trajtimin e kancerit, por është larg zgjidhjes perfekte.
Nevojiten javë, apo edhe muaj të tërë, gjatë së cilës kohë qelizat e shëndetshme bëhen shpesh dëm kolateral fatkeq. Por, çka nëse i gjithë kursi i trajtimit do të mund të përfundonte brenda një sekonde? Studiuesit në Universitetin e Pennsylvanisë tani kanë treguar se si mund të jetë e mundur kjo.
Me mjetet e duhura, qelizat e kancerit në vetvete nuk janë aq të vështira për t’u vrarë. Rrezatimi ose ilaçet mund të administrohen për t’i vrarë ato relativisht lehtë - problem është se tumoreve u pëlqen të fshihen në turmë, dhe çfarëdo armësh që qëllojmë në to gjithashtu priren t’i godasin qelizat e shëndetshme rreth tyre,j shkruan Koha Ditore. Për shkak se terapia me rrezatim zgjat me javë të tëra, ka më shumë mundësi që ato qeliza të shëndetshme të afektohen, duke çuar në probleme të ndryshme shëndetësore edhe nëse kanceri është shkatërruar.
Pikërisht këtu hyn radioterapia FLASH. Kjo formë e re e trajtimit përfshin që pacientit brenda një sekonde t’i jepet një sasi e ngjashme rrezatimi siç do ta merrte normalisht gjatë disa javëve. Eksperimentet e mëparshme kanë treguar se efekti në vetë kancerin është në thelb i njëjtë, por dëmtimi kolateral në indet e shëndetshme zvogëlohet në mënyrë drastike.
Për studimin e ri, hulumtuesit në Universitetin e Pennsylvanisë zbuluan se duke e ndryshuar llojin e grimcave themelore të përdorura, ata mund ta bëjnë radioterapinë FLASH shumë më efektive. Normalisht, elektronet janë grimcat ideale për këtë metodë, por ato nuk depërtojnë shumë thellë në trup. Kjo do të thotë se ato janë më të vërtetë të dobishme vetëm për llojet më sipërfaqësore të kancerit siç është kanceri i lëkurës.
Në këtë rast hulumtuesit përdorën protone dhe treguan se përshpejtuesit linearë tashmë që janë në përdorim nëpër spitale mund të adaptohen për t’i prodhuar këto grimca. Meqenëse ato mund të kalojnë më thellë në trup, ato duhet të jenë më të dobishme kundrejt një game më të gjerë të llojeve të tumorit.
Ekipi e testoi atë në minjtë me tumore pankreatike dhe zbuloi se metoda në fjalë e frenoi rritjen e kancereve me afërsisht të njëjtin efektivitet si terapia e rregullt rrezatuese. Ajo që megjithatë është e rëndësishme, terapia me proton FLASH e reduktoi humbjen e qelizave të shëndetshme dhe nuk shkaktoi fibrozë të zorrëve, një efekt ky i zakonshëm anësor i terapisë rrezatuese.
“Kjo është hera e parë që dikush ka publikuar gjetje që e demonstrojnë mundësinë e përdorimit të protoneve - në vend të elektroneve - për të gjeneruar doza FLASH, me një përshpejtues që përdoret aktualisht për trajtime klinike”, thotë James M. Metz, bashkautor i lartë i studimit.
Hulumtuesit aktualisht janë duke punuar në mënyrën e përkthimit të trajtimit në prova klinike. Kjo përfshin dizajnimin e një sistemi i cili mund ta sjellë rrezatimin protonik tek njerëzit.
Hulumtimi u publikua në International Journal of Radiation Oncology, Biology and Physics.