Grupi i Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së (USPSTF) po shqyrton ndryshimin e rekomandimeve për ekzaminimin e kancerit të qafës së mitrës.
CNN ka shkruar se në një rekomandim të ri, ky grup ka sugjeruar që gratë mbi 30 vjeç të bëjnë testimin për viruse të rrezikshme si ai papilloma (HPV) çdo pesë vjet, në vend që të mbështeten vetëm te pap testi për të zbuluar kancerin e qafës së mitrës. Testimi për HPV besohet të jetë më i efektshëm, sipas këtij rekomandimi.
Aktualisht, pap testi, në të cilin qelizat e marra nga qafa e mitrës shqyrtohen nga një mjek për të zbuluar kancerin e qafës së mitrës ose ndryshimet në qeliza, është metoda e rekomanduar për zbulimin e kancerit të qafës së mitrës, ndërsa testimi për HPV është konsideruar një metodë “dytësore për parandalim”.
Megjithatë, Grupi i Shërbimeve Parandaluesë në SHBA ka theksuar se testimi për HPV është më efektiv për gratë nga mosha 30 deri në 65 vjeç. (Gratë në vitet e 20-ta duhet të vazhdojnë të bëjnë pap test çdo tre vjet.)
Disa studime të botuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, përfshirë një studim të vitit 2021, tregojnë se mbi 99% e rasteve të kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga “infeksioni i qëndrueshëm i HPV me rrezikshmëri të lartë”.
“Ne po theksojmë se testimi për HPV, si testimi kryesor për gratë nga 30 deri në 65 vjeç, është balanca më e mirë mes përfitimeve dhe dëmeve në gjetjen e kancerit të qafës së mitrës, dhe kjo duhet të ofrohet e para dhe kur është e mundur”, ka shpjeguar doktoresha Esa Davis, për CNN.
Në këtë draft të ri është sugjeruar gjithashtu që gratë të kenë mundësinë të marrin vetë mostrën për testimin e HPV, që mund të jetë metodë më e pranueshme për ato që ndoshta nuk do të kenë mundësi të shkojnë për një ekzaminim rutinë.
Nëse testi për HPV nuk është në dispozicion, mund të bëhet gjithashtu pap testi ose testim tjetër.
Davis ka thënë se kombinimi i të dy opsioneve gjithashtu mund të jetë një mundësi.
Ajo ka shtuar se, ndërsa testi për HPV mund të preferohet, opsionet e tjera “janë efektive” dhe mund të jenë “zgjedhje për pacientët si dhe ata që janë të shtruar në spital”
Shoqata Amerikane e Kancerit aktualisht rekomandon testimin për HPV si “pjesë e ekzaminimit për kancerin e qafës së mitrës”.
Ata kanë theksuar në faqen e tyre të internetit se testi për HPV “detekton llojet e rrezikshme të HPV-së që janë më të prirura të shkaktojnë parakancere dhe kancer të qafës së mitrës”, ndërsa pap testi “nuk mund të zbulojë HPV-në”.
“Ne presim me padurim të shqyrtojmë këto rekomandime të rëndësishme për udhëzimet e ekzaminimeve për kancerin e qafës së mitrës dhe të ofrojmë komente për USPSTF. Udhëzimet për ekzaminime janë jashtëzakonisht të rëndësishme për gratë, pasi kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më të parandalueshme dhe të trajtueshme të kancerit, dhe është thelbësore që gratë të ekzaminohen rregullisht”, ka thënë për CNN doktori Robert Smith nga Shoqata Amerikane e Kancerit
Sipas CNN-it, drafti i ri i këtij grupi do të jetë i hapur për komente nga publiku deri më 13 janar.
Sipas OBSH-së, kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm te gratë.
Në vitin 2022, rreth 660,000 gra u diagnostikuan me këtë lloj kanceri dhe 350,000 vdiqën nga ai gjatë të njëjtit vit.