Një metodë e re për parashikimin e kancerit të zorrëve është më shumë se 90% e saktë në identifikimin e individëve që janë në rrezik të lartë për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, sipas një studimi të fundit.
BBC ka shkruar se rreth 500,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me sindromën e zorrës së irrituar (IBD), duke përfshirë sëmundjen Crohn dhe kolitin ulçeroz. Aktualisht, atyre u ofrohen kontrolle të rregullta për gjetjen e qelizave para-kancerogjene në zorrët e tyre, të cilat, kur zbulohen, sugjerojnë një mundësi prej rreth 30% për zhvillimin e kancerit të zorrëve brenda 10 vjetësh.
Megjithatë, një studim që është bërë në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se ndryshimet në ADN-në e këtyre qelizave parakancerogjene, kur analizohen me algoritëm, mund të parashikohen me më shumë se 90% saktësi se kush do të zhvillojë kancerin e zorrëve brenda pesë vjetëve të ardhshme.
Për të realizuar këtë studim, studiuesit kanë përdorur mostra të indeve qelizore nga pacientët me IBD, dhe ata shpresojnë se kjo metodë mund të zhvillohet për të krijuar një test të thjeshtë të gjakut që do të mund t’i identifikojë pacientët që janë më të rrezikuar nga zhvillimi i kancerit të zorrëve.
Komente nga pacientët dhe specialistët
Craig Foster, nga Waterlooville, Hants, që humbi gruan e tij Fariba nga kanceri i zorrëve në muajin shkurt të vitit 2024, ka thënë se shpreson që ky studim do të shpëtojë jetë. Fariba ka jetuar me kolit ulçeroz që nga mosha 18-vjeçare, kur iu hoqën tri të katërtat e zorrëve të saj.
“Më jep ngushëllim të di se ka shkencëtarë që punojnë për të parandaluar që askush të mos kalojë atë që kaloi Fariba. Kanceri nuk bën dallime – nuk ka rëndësi kush je, ai i prek të gjithë”, ka thënë ai.
Profesori Trevor Graham nga Instituti i Studimeve për Kancer në Londër ka shpjeguar se shumica e njerëzve me sëmundje të zorrëve nuk do të zhvillojnë kancer por se testi i ri do të mund t’i informojë më herët në mënyrë që të marrin vendime në kohën e duhur.
Marianne Radcliffe nga organizata bamirëse “Crohn's & Colitis UK”, e ka cilësuar lajmin si shumë pozitiv për ata që jetojnë me IBD. Ajo ka theksuar se “gjetja e hershme e kancerit është çelësi për një trajtim më të mirë dhe një jetë më të gjatë”.
Doktori Iain Foulkes nga Cancer Research UK e ka financuar këtë studim dhe e konsideron këtë avancim teknologjik si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të trajtimit të kancerit.
“Përdorimi i kësaj metode na ndihmon të kemi një pamje më të mrë të mënyrës se si fillon dhe ndryshon kanceri, duke u dhënë mundësinë shërbimeve shëndetësore të fokusohen në trajtimin e pacientëve me IBD që janë në rrezik të lartë”, ka thënë Foulkes.
Ai ka shtuar se ky test ka potencial për të shpëtuar jetë, duke mundësuar diagnoza të shpejta dhe më të sakta për pacientët që janë më të rrezikuar nga kanceri i zorrëve.