Lifestyle

Test i thjeshtë që mund të tregojë shumë për shëndetin

Testi i shëndetit

Koha e reagimit, pra, sa shpejt dikush mund të arrijë ta kapë një objekt që po bie apo të përgjigjet ndaj një sinjali, mund të tregojë shumë më tepër se sa dikush mund të mendojë. 

Shkencëtarët kanë zbuluar se sa më shpejt të reagohet, aq më mirë funksionon truri. Dhe jo vetëm kaq: koha e reagimit lidhet edhe me shëndetin e zemrës, rrezikun për sëmundje si ishemia apo madje edhe jetëgjatësinë, ka raportuar BBC.

“Disa njerëz janë thjesht më të shpejtë që në fillim, para se të ndikojë plakja. Por kur koha e reagimit fillon të bjerë me moshë, kjo zakonisht tregon një degradim të përgjithshëm të trupit. Është si një tregues për mënyrën se si po funksionojnë shumë sisteme biologjike bashkë”, ka shpjeguar Simon Cox, profesor në Universitetin e Edinburgut.

Si ta testoni veten në shtëpi?

Një test i thjeshtë që mund të bëni me parterin/partneren është testi me vizore:

Uluni në një karrige dhe vendosni parakrahun në tavolinë, me dorën jashtë buzës së tavolinës.

Personi tjetër mban një vizore në mënyrë vertikale, me numrin 0 në nivelin e gishtave tuaj.

Pa paralajmërim, ai duhet ta lëshojë vizoren, dhe ju duhet ta kapni sa më shpejt të mundeni.

Sa më pak të bjerë vizorja para se ta kapni, aq më e mirë është koha juaj e reagimit.

Si interpretohet rezultati:

Më pak se 7.5 cm: shkëlqyeshëm

7.5 – 15.9 cm: mbi mesataren

15.9 – 20.4 cm: mesatare

Më shumë se 20.4 cm: nën mesataren

Më shumë se 28 cm: dobët

Pse është e rëndësishme?

Studimet kanë treguar se njerëzit me kohë më të ngadaltë reagimi kanë rrezik më të madh për sëmundje të zemrës, sulm në tru dhe probleme të frymëmarrjes. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të bien, të humbasin pavarësinë apo të zhvillojnë demencë.

Por, siç thekson profesori Cox, “një matje e vetme nuk tregon shumë”. Ai ka sugjeruar ta përsërisni testin çdo vit për të parë nëse shpejtësia juaj po bie me kohën.

Çfarë ndodh brenda trupit kur reagon?

Koha e reagimit varet nga një zinxhir kompleks funksionesh:

Aftësia për të parë, dëgjuar apo nuhatur një sinjal

Si e përpunon truri informacionin

Si nervat, muskujt dhe tejzat zbatojnë urdhrin

“Çdo pjesë e këtij zinxhiri ndikohet nga plakja, dhe te secili prej nesh ndryshon ritmi i këtij procesi”, ka thënë Cox.

Sipas profesoreshës Alaa Ahmed nga Universiteti i Colorados, kur plaket trupi, bëhet më i lodhshëm të lëvizësh shpejt, sepse muskujt reagojnë më ngadalë dhe qelizat tona prodhojnë më pak energji.

“Të bësh një lëvizje të shpejtë është më e kushtueshme për të moshuarit”, ka thënë ajo.

Megjithatë, profesori britanik Matthew Pain ka thënë se sistemi nervor, në shumë raste, mbetet në formë. Ai përmend një eksperiment ku të moshuarve iu mat reagimi i kyçit të këmbës ndaj një zhurme të madhe. Reagimi ishte ende i shpejt, por lëvizja fizike ishte më e ngadaltë.

“Do të mund të skualifikoheshin për start të gabuar në Olimpiadë. Por nuk do të ishin në gjendje të dilnin shpejt nga blloku i startit”, ka thënë ai me humor.

Si mund të përmirësohet reagimi?

Sipas studiuesve, ka mënyra për ta ruajtur apo përmirësuar kohën e reagimit:

Ushtrime me detyra të dyfishta, si:

-Ecje duke kthyer kokën majtas e djathtas

-Qëndrim në një këmbë ndërkohë që thoni alfabetin

-Hedhje topi ndërkohë që thoni fjalë me rimë

-Lojëra kompjuterike si testi “Human Benchmark”, ku klikoni kur një kuti bëhet jeshile

-Sport, instrumente muzikore apo lojëra tavoline, që stimulojnë trurin dhe trupin

“Ushtrime sportive që kërkojnë reagim të shpejtë mund të ndihmojnë në përmirësimin e kohës së reagimit si nga ana mendore, ashtu edhe fizike. Ka prova që njerëzit që janë më aktivë dhe më të angazhuar shoqërisht dhe intelektualisht plaken më ngadalë në aspektin kognitiv”, ka thënë Cox.