Pjesëmarrësve në këtë testim do t’ju ofrohet bari DMT, pasuar me një terapi të bisedës. Me këtë synohet që të ofrohet një mënyrë alternative për një numër të konsiderueshëm njerëzish, të cilët nuk u përgjigjen trajtimeve me ilaçe konvencionale për depresion
Një barë i fuqishëm halucinogjen, i njohur për rolin që luan në ritualet shamande, është duke u testuar për të parën herë si një kurë potenciale kundër depresionit.
Pjesëmarrësve në këtë testim do t’ju ofrohet bari DMT, pasuar me një terapi të bisedës. Me këtë synohet që të ofrohet një mënyrë alternative për një numër të konsiderueshëm njerëzish, të cilët nuk u përgjigjen trajtimeve me ilaçe konvencionale për depresion.
Terapia psidelike mund t’i zbusë simptomat për një kohë më të gjatë, janë shprehur të bindur disa studiues.
Një numër i shtuar i dëshmive ka treguar se barërat psikedelike, posaçërisht kur shoqërohen edhe me terapinë e bisedës, janë të sigurta dhe mund të jenë efektive për t’i trajtuar një gamë të gjerë të sëmundjeve mendore. Kjo do të jetë hera e parë që një bar DTM do t’u jepet personave që vuajnë nga depresioni i shkallës më të ulët deri tek ajo më e rëndë, në kuadër të testimit klinik.
Carol Routledge, shkencëtarja kryesore në “Small Pharma”, kompani kjo që po e organizon studimin, ka thënë se “studiuesit besojnë se ndikimi do të jetë pothuajse i menjëhershëm dhe me kohëzgjatje më të madhe sesa në trajtimet me antidepresantë të zakonshëm”.
“Molekula shpirtërore”
Bari njihet me emrin “molekula shpirtërore”, për shkak të mënyrës që e shton vetëdijen e njerëzve dhe prodhon halucinacione, të cilat janë të lidhura me përjetimin afër vdekjes.
Është gjithashtu përbërësi aktiv në “ayahuasca”, bimë kjo tradicionale mjekësore e Amazonës që përdoret për të sjellë ndriçim mendor e shpirtëror. Studiuesit besojnë se bari mund të ndihmojë në lirimin e rrugëve të rregulluara të trurit, të cilat më pas mund të “rivendosen” me terapinë e bisedës.
Routledge e ka lidhur këtë bar me “tundjen e një globi me borë” – duke i hedhur lart në ajër mendimet negative, të cilat terapia mundëson që të rivendosen në një formë më funksionale. Por, kjo hipotezë ende duhet të dëshmohet.
Ekipi është duke u konsultuar me Kolegjin Mbretëror të Londrës, i cili e udhëheq Qendrën për Studime Psikedelike. Si pjesë e studimit, ekspertët shpresojnë që të hulumtojnë nëse bari mund të përdoret vetëm një herë apo të jetë pjesë e një trajtimi më të gjatë. Subjektet do të përcillen për të paktën gjashtë muaj, për të parë se sa gjatë zgjasin efektet e trajtimit.
Klinika e ketaminës
Ndërkohë, klinika e terapisë me ndihmën e ketaminës është vendosur të hapet në Bristol javën e ardhshme. Përderisa bari tashmë është duke u përdorur për rastet e trajtimit të depresionit në klinika sikurse shërbimi për trajtim në Oxford, ky nuk shoqërohet me psikoterapi.
Por në vend të kësaj, përdoret për t’i qetësuar pacientët përkohësisht nga simptomat. Këta pacientë kanë depresion shumë serioz dhe që i reziston trajtimit.
Sipas rezultateve ende të papublikuara, por që janë paraqitur nga një profesoreshë e psikofarmakologjisë në Universitetin e Exterit, Celia Morgan, thuhet se ketamina e shoqëruar me terapi ka efekte shumë më afatgjata.
Profesoresha Morgan ka thënë se ka prova të qarta se barërat, përfshirë psilocibin, LSD-në, ketaminën dhe MDMA-në (Estazia), ishin të sigurta dhe mund të luanin rol në trajtimin e çrregullimeve mendore. Dhe ka pasur edhe disa dëshmi të hershme se ato mund të kenë efekte më afatgjata sesa ilaçet që zakonisht janë përshkruar nga mjekët si antidepresantë, të njohura si SSRI-të, por prapëseprapë ka nevojë për më shumë studime.
Ndryshimi afatgjatë
Përderisa ilaçet e tjera të zakonshme mund t’i mpijnë ndjenjat, “këto barëra duket se e mundësojnë qasjen ndaj përvojave të vështira në jetë, të ulesh me atë stres dhe t’i përpunosh tërë ato gjëra”, ka thënë ajo. “Ka mundësi se prek diçka më thelbësore, që është rrënja që e shkakton problemin”, ka thënë Morgan.
Profesori Michael Bloomfield, psikiatër në Universitetin e Londrës, ka thënë se ndonëse ka qenë zonë “shumë emocionuese” e studimit, ka pasur nevojë për kujdes për të premtuar për potencialin e ilaçeve. Ka qenë gjithashtu një fushë e terapisë, që mund të jetë e hapur ndaj abuzimit dhe keqpërdorimit, ka thënë ai.
Morgani, gjithashtu, ka theksuar rëndësinë e përdorimit të ilaçeve përbrenda kontekstit të terapisë, pasi ka pasur shqetësime se “njerëzit mund të mendojnë që bën të përdorin ilaçe çlodhëse”. “Por, kështu nuk funksionon njëmend”, ka shtuar ajo.