Ndërkohë që teknologjia po shihet si armik i madh si për njerëzit e rritur ashtu edhe për fëmijët, ka disa mënyra që ajo mund të shërbejë për të mirë.
Një nga anët pozitive të teknologjisë po konsiderohet të jetë filmi.
Psikologë e sociologë kanë bërë të ditur se sa e rëndësishme është ajo që iu ofrohet fëmijëve për të parë. Pra, nëse ju ofrohen filma të mirë prej të cilëve mund të mësojnë shumë gjëra, është më se në rregull t’iu lejohet fëmijëve që t’i shohin përmes platformave online të transmetimit.
Është raportuar se ndikimi i filmave si “Barbie”, “Paw Patroll”, “Bluey”, si dhe klasikët e gjigandit “Disney”, si “Hirushja” e “101 Dalmatët”, kanë treguar rezultate të mira në psikologjinë e fëmijëve.
“Skye”, revolucionarja e re
Si duket në 2023-n bota e fëmijëve u orientua nga feminizmi, pasi që personazhi Skye, qenushja nga filmi “Paw Patrol”, ka vjedhur zemrat e të gjithëve ngase u tregua si më e zonja nga ekipi i qenushëve shpëtimtarë duke u shndërruar në një heroinë.
Ekipi i këtyre qenushëve zgjidh probleme të ndryshme duke përdorur teknologjinë. Kjo është ajo që është vlerësuar nga ekspertët, si dhe nga prindërit, pasi që teknologjia mund të shfrytëzohet për zgjidhjen e problemeve.
Pra, në vend se të luftohet teknologjia, ekspertët bëjnë të ditur se mund të përdoret si armë kur fëmijët dëshirojnë të kryejnë detyra, të gjejnë libra për të lexuar online, të luajnë lojëra të ndryshme; lejon qasje më të lehtë në informacionin e duhur vetëm nëse kontrollet si duhet.
Këtë herë personazhi Skye falë mençurisë së saj i kapërceu të gjithë heronjtë djem duke e kaluar edhe personazhin që deri më tani njihej si më i dashuri, Chase, ka shkruar “The Guardian”.

“Barbie”- kukulla nga mileniumi i vjetër që bëri revolucion në mileniumin e ri
Sa i përket filmit të shumëpërfolur “Barbie” me regji të Greta Gerwig që theu pothuajse të gjitha arkat filmike, duket sikur ka lënë nam, e bashkë me Skyen po e dërgojnë feminizmin të fuqishëm në vitin e ri.
Kjo, pasi prej se është krijuar kjo kukull bëri revolucion, herë u kritikua për të mirë e herë për të keq, theu plot tabu, por duket se magjia që solli edhe filmi që u bë për të e revolucionarizoi sërish kukullën duke e kthyer në njeri të thjeshtë, që do ta jetojë jetën në mënyrë normale si të gjithë të tjerët.
Prindërit, fëmijët e kritikët e vlerësuan lart filmin duke e cilësuar si inkurajues e gjithëpërfshirës. Pasi në film shfaqen kukulla që u përkasin etnive të ndryshme, si dhe grupeve të margjinalizuara, filmi u pa si një lloj mirëpritjeje për të gjithë njerëzit, pavarësisht se çfarë bëjnë e cilës kulturë i përkasin, cilës etni, e cilit komunitet. Figura e gruas në këtë film është ngritur lart, duke treguar se gjithmonë ka qenë aty, vetëm se nuk është vlerësuar në nivelin e duhur, njëjtë sikurse karakteri Ken, që luhet nga aktori Ryan Gosling.

“Bluey”- qenushja e kaltër që po preferohet nga bota “rozë”
Sikur Skye e Barbie që janë heroinat e kamotshme të vajzave të vogla, Bluey është qenushja e re që po e merr vëmendjen e tyre.
Shfaqja australiane për fëmijë “Bluey” ka fituar popullaritet masiv vitet e fundit duke sjellë edhe një tjetër “heroinë” në listën e vajzave që po preferohet nga kritikët e filmit e po ashtu edhe nga prindërit.
Edhe pse fillimisht krijuesit e filmit patën për qëllim një audiencë rreth moshës 5-7 vjeç, shumë fëmijë dhe të rritur më të mëdhenj kanë rënë në dashuri me qenushen Blue Heeler të quajtur Bluey.
Bluey shkon në aventurat e përditshme me nënën, babanë dhe motrën e saj Bingo. Ajo është energjike dhe kureshtare për botën që e rrethon.
Edhe pse Bluey është e kaltër, ajo është një vajzë. Kjo, sepse Bluey dhe babai i saj Bandit janë qen “Blue Heeler”, kështu që ajo duket si ai. Në anën tjetër Bingo dhe Chilli, nëna e tyre, janë raca “Red Heeler”, prandaj gëzofi i tyre është krem, i portokalltë ose kafe në të kuqërremtë.
Shfaqja vazhdimisht nxit koncepte të tilla si puna ekipore, kreativiteti, imagjinata dhe rëndësia e lidhjeve familjare. “Bluey” madje është rekomanduar nga ekspertët, sepse ka treguar një komunikim të shëndetshëm, jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit. Prindërit e Blueyt, Chilli dhe Bandit bashkëveprojnë me fëmijët e tyre në një mënyrë që nxit vlera pozitive në të gjitha situatat.
Të tjerë filma që rekomandohen nga revista “The Guardian” janë: “Encanto”, “Back To The Future”, “Star Wars”, “Paddington”, “Lord of The Rings”, “Mrs Doubtfire”, “Harry Potter,” “The Wizard Of Oz”, etj.
Sikur prestigjiozja “The Guardian” edhe shumë revista e gazeta të tjera kanë bërë listat e tyre me filmat më të mirë për fëmijë.
Disa nga ata filma që kryesojnë listat janë edhe “Shawn the Sheep”, “Moana”, “Ninja Turtles”, etj.