Studiuesit pohojnë se njerëzit që janë të obsesionuar me bërjen e selfieve e kanë një diagnozë psikike të quajtur "selfitis". Bërja e selfieve e nënkupton fotografimin e vetes më shpesh me kamerën e përparme të pajisjeve mobile elektronike. Siç pohojnë ata, ekzistojnë tre lloje të këtij çrregullimi.
I pari është i kufizuar dhe e përfshin fotografimin e vetes deri në disa herë në ditë, pa i publikuar fotot në rrjetet sociale. I dyti është akut, fotografimi i vetes disa herë në ditë dhe publikimi i fotografive në rrjetet sociale. I treti është kronik, ndërsa personat që vuajnë nga kjo fotografohen pa kontroll dhe pothuajse të gjitha selfiet i publikojnë në rrjetet sociale, të paktën gjashtë herë në ditë, transmeton koha.net.
Termi "selfitis" është përmendur për herë të parë në një artikull të lajmeve nga viti 2014, në të cilin është sugjeruar që asociacioni amerikan psikiatrik të mendojë për përfshirjen e "selfitisit" në çrregullime. Pas kësaj, hulumtuesit e shqyrtuan këtë fenomen dhe arritën në përfundimin se ky "çrregullim" është vërtet i pranishëm në shoqëri.
U anketuan 400 persona nga India, vendi ku shumica e përdorin “Facebookun”, dhe u caktua edhe shkalla e sjelljes gjatë bërjes së selfieve me të gjitha shkaqet e mundshme. Ato e përfshinin vetëvlerësimin, kërkimin e vëmendjes dhe konkurrencën sociale.
Në një punim të publikuar në revistën ndërkombëtare të shëndetit mendor dhe varësisë thuhet "se ashtu si me varësinë ndaj internetit, koncepti i ‘selfitisit’, apo varësisë ndaj bërjes së selfieve filloi si argëtim, por hulumtimi ashtu si edhe kjo punë në mënyrë empirike e konfirmuan ekzistencën e tij".
Hulumtuesit vunë në dukje se studimi i shkruar nga dr. Mark Grifiths nga Universiteti Nottingham Trent do të ndihmojë në të kuptuarit e "ndërveprimit njeri-kompjuter, përmes pajisjeve të shumta elektronike".
Gjithashtu u theksua se bërja e selfieve do të zhvillohet derisa përparon teknologjia.
{gallery}